E shtunë, 27 Gusht 2022
PRISHTINE – Për të gjithë maturantët të cilët nuk kanë arritur pragun e kalueshmërisë në afatin e parë, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) organizon sot Provimin e Maturës Shtetërore (afati i dytë).
Testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 5,084 maturantë në 59 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues.
Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 12 maturantë.
MAShTI, kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në MAShTI.
Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më së largu me datën 07 shtator.
Etiketa: Aktuale, Kosovë, Ministria e Arsimit, testi i matures