E diel, 16 Tetor 2022
PRISHTINË – Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, thotë se Serbia si një vend pro-rus operon me idenë se “sa më shumë territor aq më shumë e mbrojtur do të jetë”, andaj ndodhur përball kësaj ideologjie të një vendi fqinj, ai thekson se integrimi i Kosovës është i domosdoshëm.
Ai thotë se aktualisht Kosova është e interesuar që në një afat rekord të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe, për çka kërkon mbështetjen edhe të vendeve mosnjohëse.
Mehaj duke folur për KosovaPress konsideron se është e rëndësishme që anëtarësimi i Kosovës në organizatat botërore të sigurisë të ndodh sa më shpejt, marrë parasysh edhe situatën e brishtë të sigurisë në botë si pasojë e luftës pushtuese të Rusisë në Ukrainë dhe politikën proruse të Serbisë.
Sipas tij, krahas grupit ndërministror për Partneritet për Paqe që tashmë është themeluar, është e rëndësishme që Bashkimi Evropian dhe NATO të shohin ndryshimet pozitive në Kosovë. Derisa thekson se po i rrisin bashkëpunimet bilaterale me shumë partnerë të tjerë të NATO-s.
“Kosova është e fokusuar në integrimin në NATO sa më shpejt, situata ka ndryshuar gjeopolitikisht, jo vetëm në rajon por në mbarë botën, është shumë me rëndësi që edhe këto katër shtete mosnjohëse të NATO-s ta mbështesin Kosovën në Partneritet për Paqe, pastaj në anëtarësimin e plotë në NATO”, thotë ai.
Derisa thotë se situata e sigurisë në vend është e qetë, ministri Mehaj thotë se janë në bashkëpunim me të gjitha institucionet e sigurisë në vend dhe se Kosova ndan vlerat e veta demokratike me të gjitha vendet perëndimore.
Etiketa: Aktuale, Armend Mehaj, Kosovë, Rusia, Serbia