Kosova sot voton për shpërbërjen e Kuvendit


E mërkurë, 7 Maj 2014

Kryeministri Hashim Thaçi ka konfirmuar indirekt se Parlamenti i Kosovës shpërndahet dhe se votimi për shndërrimin e FSK-së në FAK dhe çështja e vendeve të rezervuara për minoritetet, do të lihet për legjislaturën e ardhshme.

“Një Parlament që s’mund ta formojë ushtrinë e vetë, është e pakuptimtë të ekzistojë”, ka thënë Thaçi në një konferencë për media pas takimit me Komisionerin për Zgjerim në BE, Stefan Fule, i cili vizitoi Kosovën një ditë pas Beogradit. Kryeministri Thaçi paralajmëroi se në takimin me Presidenten e vendit, do të vendoset për hapat e mëtejshme drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme. “Unë kam propozuar datën 8 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve dhe aktualisht jemi brenda afateve të parashikuara në Kushtetutë”, tha ai. Pas takimit, liderët janë shprehur për zgjedhje të parakohshme dhe sot është paralajmëruar mbajtja e një seance të jashtëzakonshme ku pritet të hidhet në votim shpërbërja e Kuvendit.

Nuk dihet nëse Kuvendi do të mund të shpërbëhet, pasi duhen 80 vota të deputetëve. Sipas Kushtetutës së Kosovës, Neni 82 parashikon shpërndarjen e Kuvendit. Mësohet që, përfaqësuesit e komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës nuk do të votojnë shpërbërjen e Kuvendit, pasi që sipas Kushtetutës së Kosovës atyre nuk u garantohen më vendet e rezervuara. Edhe partia e Labin Kurtit nuk do të votojë shpërbërjen e këtij institucioni, thuhet në një komunikatë të tyre. Lëvizja Vetëvendosje nuk ka marr pjesë dhe nuk ka qenë as e ftuar nga presidentja, Atifete Jahjaga në takimin e liderëve të partive politike. Dardan Mulliqaj nga kjo parti, tha se, veprimin e Jahjagës për mos ftesë e ka vlerësuar si shkelje të rregulloreve. Sipas Molliqaj, Vetëvendosja nuk e mbështet shpërndarjen e parlamentit, duke thënë se në këtë rast LDK-ja po ia mundëson amnestinë Thaçit. Sipas tij, rruga e mocionit është zgjedhja më e drejtë. Këto komente ai i ka bërë në një konferencë për media.

Stefan Fyle: Kosova duhet të ecë me reformat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti ditën e martë, Komisionerin për Zgjerim të Komisionit Evropian, Stefan Fule, i cili tha se rruga e Kosovës drejt integrimit në BE, varet nga arritja dhe përmbushja e reformave. Ai nënvizoi se suksesi në përmbushjen e reformave do të përcaktojë edhe dinamikën e proceseve integruese të Kosovës. Sipas një njoftimi për media, presidentja Jahjaga dhe komisioneri Fule diskutuan për agjendën evropiane të Republikës së Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave si dhe rëndësinë që procesi i integrimit evropian të mbetet një përpjekje gjithëpërfshirëse. Jahjaga tha se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara për të vazhduar me të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim e vendit në BE. Presidentja shtoi se Kosova është e interesuar që të intensifikohen përpjekjet nga të dyja palët në kuadër të dialogut për viza.

GazetaExpress/DW

Etiketa: , ,
Të fundit