Vendimi për vizat së shpejti – hyrja në fuqi në nëntor 2023


E premte, 11 Nëntor 2022

PRISHTINË – Kosova edhe këtë vit po e përmbyll si i vetmi vend në Evropë qytetarët e së cilës nuk e gëzojnë lirinë e lëvizjes.

Edhe në takimin e dytë të grupit punues të Këshillit të Bashkimit Evropian të mbajtur të enjten nuk pati asgjë zyrtare rreth datës për liberalizimin e vizave.

E zyrtarisht nga Presidenca çeke u tha se ndonëse nuk ka konsensus, ka progres në çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Vendet anëtare të BE-së në takimin e grupit punues për vizat kanë përafruar qëndrimet rreth një kompromisi, sipas të cilit do të miratohej vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, që do të hynte në fuqi më 1 nëntor 2023, kur do të nisë zbatimi edhe i sistemit Evropian të informimit dhe autorizimit të udhëtimit (ETIAS).

Siç mëson REL nga burimet diplomatike ky ka qenë kompromisi mes kërkesës së Francës për kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me nisjen e zbatimit të ETIAS-it, dhe kundërshtimit të shumë vendeve tjera që kjo të mos lidhet. Në fund është përmendur edhe ETIAS-i, por edhe data.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen. Ai është dashur të nisë së funksionari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Shtetet që e kanë kundërshtuar lidhjen me ETIAS, e kanë argumentuar këtë me faktin se ai sistem mund të mos jetë gati as më 1 nëntor të vitit 2023, dhe kjo do ta shtynte përsëri hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Etiketa: , ,
Të fundit