E premte, 20 Janar 2023
PRISHTINË – Pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në një deklaratë para mediave, tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Lajçak tha të premten se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti, ishte diskutimi i propozimit për normalizim, të cilin, siç tha ai, i kishin prezantuar Kurtit në shtator, si dhe më vonë në muajin dhjetor[ të vitit të kaluar].
“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.
Në takim me kryeministrin Kurti, përveç Lajçakut morën pjesë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.
Lajçak theksoi se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takim.
Emisarët ndërkombëtarë qëndruan në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas vizitës në Prishtinë, ata do të shkojnë në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel./REL
Etiketa: Aktuale, Kosovë, Miroslav Lajčák