Dy opsionet e VV-së për ta mbështetur qeverinë e koalicionit


E hënë, 30 Qershor 2014

kurti

Liderët e tri partive të bllokut opozitar, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, janë duke shqyrtuar nëntë kërkesat e Lëvizjes Vetëvendosje të parashtruara si parakushte në këmbim të ofrimit të mbështetjes për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ndonëse ende nuk e kanë marrë edhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese nëse do të konsiderohet apo jo kushtetuese formimi i qeverisë pa partinë fituese të zgjedhjeve, LDK, AAK dhe Nisma i janë përveshur punës për ndarjen e resorëve qeveritar dhe posteve udhëheqëse.

Mirëpo, ajo që u mungon këtyre tri partive politike është shumica e nevojshme në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës.

Andaj, në masë të madhe, ky bllok, edhe nëse do të merrte interpretimin pozitiv nga Kushtetuesja, do të varet nga mbështetja dhe votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në takimin e sotëm të bllokut opozitar do të marrë pjesë edhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Sekretari i Përgjithshëm i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj ka thënë se pranimi i kërkesave të Vetëvendosjes është më se i domosdoshëm për mbështetjen e kësaj qeverie.

Për Vetëvendosjen, mbeten dy opsione, ajo e përfshirjes në këtë qeveri eventuale apo edhe e mbështetjes politike në parlament.

“Përveç se duhet ndërruar kursin në dialog dhe privatizim sigurisht që ka edhe shumë fusha tjera të jetës në të cilat ne kemi dallime. Në fazën e tretë, besoj se duhet të ketë disa javë diskutime për programin qeverisës. Dhe, nëse kalon edhe kjo fazë me sukses atëherë duhet ta shtrojmë çështjen në organet e Vetëvendosjes për të marrë një vendim po ose jo përfshirjes së saj në qeverinë, siç po quhet, të opozitës”, ka thënë Molliqaj.

Nga kërkesat kryesore që Vetëvendosje i ka parashtruar bllokut LDK, AAK dhe Nisma për qeverinë e re kanë të bëjnë me një pozicion të ri karshi dialogut me Serbinë dhe zbatimit të marrëveshjeve të arritura, si dhe ndryshimin e plotë të politikave të privatizimit.

Kurse, për përfshirjen eventuale të Vetëvendosjes në bllokun e ri që po synon krijimin e qeverisë, Molliqaj thotë se do të nevojitet edhe organizimi i referendumit të brendshëm në këtë subjekt politik.

Në çdo rrethanë, me apo pa Vetëvendosjen, një qeveri e tillë e bllokut opozitar, sipas Dardan Molliqajt, do të ketë një mandat jo të plotë, dy vjeçar.

“Ne besojmë që dy vjet janë të mjaftueshme për qëllimin pse po krijohet kjo qeveri. Kjo qeveri është e zorit dhe nuk është qeveri pse ne pajtohemi. por, për shkak të rezultatit dhe rrethanave që janë krijuar pas 8 qershorit ne kemi marrë një nismë të tillë e cila konsiston në objektivin kryesor ta hequr partinë nga shteti, pra PDK-në e cila ka kapur shtetin. Për ta bërë një gjë të tillë duhen rreth dy vite, por normalisht që do të diskutohen edhe tema tjera sepse ne nuk mund të merremi vetëm me atë çështje”, ka thënë Molliqaj.

Zgjedhjet e 8 qershorit kanë nxjerrë si fituese Partinë Demokratike të Kosovës, mirëpo pjesa tjetër e spektrit politik i ka vënë bllok bashkëpunimit me këtë parti politike dhe tani po synon që të formoj qeverinë pa partinë fituese.

Një rrethanë e tillë politike paraqet një risi për përvojën e demokracisë në Kosovë, kështu që presidentja Atifete Jahjaga i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese për të marrë një interpretim rreth rrugës ligjore e kushtetuese që duhet ndjekur deri te formimi i qeverisë se re të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka kumtuar se tashmë e ka marrë vendimin. Por, në një njoftim të këtij autoriteti thuhet se ky vendim do të bëhet publik ditëve në vijim. /rel/

Leave a Reply

Të fundit