Kosova u bën thirrje shteteve të rajonit që ta ratifikojnë marrëveshjen për lëvizje të lirë


E premte, 24 Shkurt 2023

PRISHTINË – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi i ka bërë thirrje Bosnjë e Hercegovinës dhe shteteve tjera të rajonit që ta ratifikojnë sa më shpejtë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

“Kosova me ratifikimin që ka bërë dje, ka treguar përkushtimin, sinqeritetin e angazhimit të saj ndaj këtyre marrëveshjeve. Dhe presim që sa më shpejtë ky shembull të ndiqet edhe nga vendet tjera anëtare”, tha Bislimi në konferencë për media, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes financiare në mes Qeverisë se Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje, të cilën Kuvendi i Kosovës e ratifikoi të enjten, më 23 shkurt, është një prej tri marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Bashkimi Evropian e vlerësoi ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës, me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog që e quajti atë “një hap të rëndëshishëm”.

Etiketa: , , , ,
Të fundit