Kurti dhe Vuçiq pritet të takohen sot në Bruksel


E martë, 2 Maj 2023

BRUKSEL – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, takohen sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Bashkimi Evropian ka konfirmuar tashmë se thirrjes së përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell, për këtë takim, i janë përgjigjur pozitivisht të dy liderët.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Ohër, më 19 mars, kur edhe janë pajtuar gojarisht për zbatimin e asaj që njihet si Marrëveshje Bazë, e që duhet të çojë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por, pas këtij takimi, palët i kanë interpretuar ndryshe-ndryshe detyrimet e tyre, ndërkohë që BE-ja ka theksuar se ato obligohen që t’i zbatojnë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Dështimi për t’i zbatuar ato, do të ketë pasoja, ka paralajmëruar BE-ja.

Zyrtarë të BE-së kanë konfirmuar se në agjendën e takimit të sotëm pritet të jenë dy çështje kryesore: miratimi i Deklaratës për të Zhdukurit dhe paraqitja e draftit të parë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pas këtyre dy temave do të shihet se sa mund të diskutohet edhe për çështje të tjera”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Etiketa: , , , ,
Të fundit