E diel, 18 Qershor 2023
SHKUP – Ambasada e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, ka konfirmuar se nga lumi Lepenc është nxjerrë vetura e familjes nga Kosova, ku brenda saj kanë qenë edhe trupat të cilët deri më tash kanë rezultuar të zhdukur.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se pas një pune intensive ekipet e kërkim-shpëtimit nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës kanë arritur ta lokalizojnë veturën në lumin Lepenc ku pas shumë përpjekjeve është arritur nxerrja e veturës, me trupat e pajetë në të”, thuhet në njoftim.
Ambasada e Kosovës në Shkup shpreh ngushëllimet e saja të thella për këtë tragjedi.
Ambasada poashtu ka shprehur falënderim për të gjitha institucionet e përfshira në këtë rast.
Në veturën e tipit BMW e cila u aksidentua të shtunën rreth orës 15:20 në rrugën Shkup –VK Bllacë, ndodheshin katër persona, ku fatmirësisht njëri nga ta ka arritur të shpëtoj dhe është duke u trajtuar në Spitalin “8 shtatori” në Shkup.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, njoftuan se në aksident ishin përfshirë vetura ‘Volkswagen Turan’ me targa të Shkupit i drejtuar nga B.B (64) nga Shkupi dhe një veturë të udhëtarëve ‘BMW’ me targa të Kosovës e drejtuar nga NP (60) nga Kosova, e cila pas aksidentit ka rënë në lumin Lepenc./Telegrafi
Etiketa: Aksident, Aktuale, Lumi Lepenc, Maqedonia e Veriut