Marrëveshje Bashkëpunimi mes Komunës se Prizrenit dhe komunitetit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve


E enjte, 5 Tetor 2023

PRIZREN – Kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj sot priti në takim përfaqësuesit e OJQ “Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve”, me të cilët u nënshkrua edhe një marrëveshje për të rejat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Për këtë marrëveshje kryetari Totaj bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Nënshkruam sot Marrëveshje Bashkëpunimi me OJQ ‘’Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve’’ për ofrimin e mundësisë së pjesëmarrjes në programin e mentorimit për fuqizim politik, për të rejat e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Qëllimi i programit të mentorimit për fuqizim politik është ngritja e shkathtësive politike dhe përgatitja profesionale e të rejave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian për angazhim në sferën politike, program që synon të përfshijë gratë e reja të komuniteteve, të cilat kanë përfunduar shkollimin e mesëm të lartë apo edhe atë universitar dhe të cilat janë aktive në komunitet apo të angazhuara në parti politike.

Përmes programit te mentorimit, gjatë tre muajve të punës praktike, gratë e reja të komuniteteve do të kenë mundësi të zhvillojnë aftësi të reja profesionale, ta ngrisin vetëbesimin, ta përmirësojnë komunikimin dhe aftësitë ndër personale, të zhvillojnë aftësi udhëheqëse, organizative dhe të ndërtojnë rrjetin e tyre të kontakteve, për një të ardhme më premtuese në jetën e tyre politike.” – thuhet në njoftim.

Etiketa: , ,
Të fundit