Themelimi i Fondit Sovran, Oda Amerikane paralajmëron për sfidat


E mërkurë, 22 Nëntor 2023

PRISHTINË – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka vlerësuar përpjekjet për përshpejtimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, si dhe tejkalimin e sfidave me të cilat përballet Republika e Kosovës.

Përmes një njoftimi për media OEA ka theksuar se përderisa iniciativa e Qeverisë së Kosovës për themelimin e një Fondi Sovran mund të vlerësohet si pozitive, sidomos në kontekstin e ndërtimit të një portofoli të investimeve dhe diversifikimit të burimeve financiare, Oda Amerikane mendon se ka strategji alternative që mund të jenë më të përshtatshme.

“Veçanërisht, privatizimi i ndërmarrjeve publike dhe ndërmarrjeve shoqërore mund të sjellë rritje të shpejtë dhe të qëndrueshme për ekonominë. Kosova, si një vend me sfida ekonomike, ka burime të kufizuara financiare për investime strategjike. Fondi Sovran do të kërkonte një alokim të madh të këtyre burimeve, duke lënë pas dore fushat e tjera prioritare. Një hap i tillë do të mund të çonte në rritjen e ngarkesës fiskale dhe frenimin e rritjes ekonomike”, thuhet në njoftim.

Prandaj, Oda Amerikane shton se beson fuqishëm se mjetet e buxhetit, edhe ashtu të kufizuar të shtetit, duhet të investohen në fusha kritike, të cilat përfshijnë arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën, bujqësinë, turizmin, prodhimin vendor, ndërmarrësinë dhe rritjen e aftësive profesionale.

“Investimet direkte në këta sektorë mund të ndihmojnë qeverinë të adresojë më shpejt dhe në mënyrë më të efektshme nevojat aktuale të ekonomisë, duke sjellë rritje afatgjatë, të qëndrueshme dhe punësim cilësor. Veçanërisht, kur fokusohet te sektorët prodhues, vendi mund të ul varësinë nga importet dhe të nxisë aftësinë e vetëmjaftueshmërisë ekonomike”, thuhet tutje në njoftim.

OEA shton se derisa fondet sovrane mund të ofrojnë kthime të mira mbi investimet, ato gjithashtu bartin edhe një nivel rreziku.

Për më tepër, inkorporimi i aseteve të ndërmarrjeve publike me performancë të dobët në Fondin Sovran nuk duket si një hap i mençur për të garantuar qëndrueshmërinë dhe rendimentin e duhur.

“Menaxhimi efikas i një fondi sovran kërkon një ekip ekspertësh financiarë me përvojë dhe njohuri të thella. Kosova mund të përballet me sfida për të ndërtuar këtë lloj ekspertize, duke e ditur që një numër organizatash shtetërore nuk e kanë të zgjidhur çështjen e udhëheqjes dhe menaxhimit. Pa një menaxhim dhe mbikëqyrje të duhur, Fondi Sovran mund të përballet me vështirësi në arritjen e objektivave të tij financiare. Përtej aspekteve teknike, menaxhimi i fondit kërkon një nivel të lartë transparence dhe llogaridhënie. Me ndarjen e fondeve sovrane nga buxheti i qeverisë, rrezikohet humbja e kësaj transparence, për shkak të ndikimit të mundshëm politik”, thuhet tutje në njoftim.

Oda Amerikane më tej shton se edhe pse themelimi i një Fondi Sovran mund të duket si një mënyrë për të mbështetur ekonominë, është i dukshëm diskriminimi ndaj ndërmarrjeve private.

“Të gjitha ndërmarrjet, pavarësisht nga struktura e tyre, kanë një rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës dhe duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Ky parim mes tjerash është i ngulitur edhe në aktin më të lartë juridik të vendit, si bazë e rregullimit ekonomik. Po ashtu, Oda Amerikane beson se kriteret për përzgjedhjen e ndërmarrjeve kampione nuk janë të qartësuara sa duhet dhe rrjedhimisht lënë hapësirë për vendime subjektive. Me qëllim të shmangies së subjektivitetit, duhet një specifikim deri në detaje i këtyre kritereve në aktin primar ligjor”, thuhet në njoftim.

Duke analizuar dispozitat e projektligjit në mënyrë specifike, Oda Ekonomike Amerikane ka vërejtur se nevojitet një qartësim më i saktë i disa dispozitave, për të shmangur interpretimet e dyanshme. Në të njëjtën kohë, Oda Amerikane konkludon se dispozita të caktuara janë në kundërshtim me dispozitat e akteve të tjera ligjore, që mund të çojë sërish në ambiguitet ligjor.

Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë konsideron se duhet të shqyrtohen me kujdes të gjitha opsionet para se të merren vendime të mëdha financiare si themelimi i një Fondi Sovran, duke theksuar rëndësinë e strategjive që sjellin më së shumti përfitime për ekonominë dhe qytetarët e Kosovës./Telegrafi

Etiketa: , ,
Të fundit