Osmani: SHBA-ja e përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB


E shtunë, 12 Korrik 2025

Presidentja Vjosa Osmani është takuar të premten në New York me të ngarkuarën me punë të misionit të Shteteve të Bashkuara në OKB, ambasadoren Dorothy Shea.

Osmani ka thënë se në këtë takim me Shean është riafirmuar se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-së dhe se Amerika është e përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Në njoftimin e lëshuar nga Presidenca, thuhet se në takim është diskutuar edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve.

“Mirënjohëse për riafirmimin e qartë të Shteteve të Bashkuara se Kosova mbetet partner i ngushtë strategjik i SHBA-ve dhe se aleatët tanë amerikanë janë fuqimisht të përkushtuar për anëtarësimin e plotë të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Ndër të tjera, dje në New York, në takim me të ngarkuarën me punë të Misionit të SHBA-ve në OKB, Ambasadoren Dorothy Shea, diskutuam edhe për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”, thuhet në njoftim.

Etiketa:
Të fundit