Fyle: Në Berlin për fuqizimin e Ballkanit


E enjte, 28 Gusht 2014

Berlin – Konferenca e Ballkanit është bërë tema e ditës e diskutimit të sotëm në Evropë. Komisioneri i BE-së për Zgjerim, Stefan Fyle përmes një postimi në rrjetin social Facebook vlerësoi takimin që po mbahet për shtetet e Ballkanit në Berlin.

Sipas Fyles diskutimi me partnerët e Ballkanit Perëndimor bëhet për të fuqizuar rajonin, pasi përmes bashkëpunimit ekonomik e politik do t’i jepet një shtytje zhvillimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

“Në Berlin për të diskutuar me partnerët e Ballkanit fuqizimin e rajonit, bashkëpunimin, qeverisjen ekonomike për të rritur zhvillimin edhe punësimin”, shprehet Fyle.

Seibert: Gjermania është pro perspektivës evropiane për Ballkanin

Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert deklaroi se Gjermania është pro perspektivës evropiane për Ballkanin.

Sipas Seibert fokusi kryesor i takimit në Berlin është mbështetja dhe thellimi i bashkëpunimit mes shteteve ballkanike, sidomos në sfidën e tyre për integrimin në familjen e madhe evropiane.

“Këtu është fjala kryesisht për forcimin dhe mbështetjen e bashkëpunimit të shteteve të rajonit me njëra-tjetrën. Gjithashtu bëhet fjalë edhe për afrimin me Evropën: afrimin politik, ekonomik por edhe në pikëpamjen e shtetit të së drejtës”, u shpreh Seibert.

Në një deklaratë drejtuar medieve, Seibert bëri të ditur agjendën e këtij takimi dhe pikat e diskutimit ku do të referohet konferenca.

“Pas pjesëmarrjes së saj para pak javësh në Takimin e Kryetarëve të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të procesit Brdo-Brijun, i cili u zhvillua më 15 korrik në Dubrovnik, Kancelarja Federale Angela Merkel së bashku me ministrin Federal të Ekonomisë Gabriel dhe ministrin e Jashtëm Federal Steinmeier, do të presin kryetarët e qeverive, ministrat e Jashtëm dhe ministrat e Ekonomisë të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si edhe të Kroacisë dhe Sllovenisë”, thuhet në deklaratën e Seibert.

Etiketa: ,
Të fundit