A po shkon Veriu drejtë zgjidhjes përfundimtare?!


E premte, 30 Dhjetor 2022

Editorial: Jetmir Maloku
Prizren Post – Kryeredaktor

Muajt e fundit situata në pjesën veriore të Republikës së Kosovës ka marrë një vëmendje të madhe në çarçet zyrtare shqiptare, serbe dhe ato ndërkombëtare. Kjo vëmendje vjen pas sulmeve dhe incidenteve të vazhdueshme nga grupet kriminale serbe që bënë ndaj organeve të rendit të shtetit të Kosovës.

Situata në pjesën veriore të Kosovës u tensionua kohëve të fundit për shkak se Qeveria e Kosovës vendosi që të largojë nga qarkullimi targat ilegale me akronimin KM si dhe akronime tjera PR, GL, PE etj., të cilat lëshoheshin për serbët e Kosovës nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Qeveritë e mëhershme të Kosovës bënin dialog të vazhdueshëm me qeveritë serbe me ndërmjetësim të Bashkimit Europian. Nga këto takime kishin dalur shumë marrëveshje, por që zbatimi i tyre është ende i mangët. Qeveria momentale e udhëhequr nga Albin Kurti, thotë se është e determinuar që të shtyjë përpara zbatimin e këtyre marrëveshjeve, ndër to dhe atë të riregjistrimit të targave të makinave me denominime serbe në RKS. Kjo edhe meqë është një e drejtë e padiskutueshme që shteti i Kosovës duhej ta kishte zbatuar që nga viti 2011, u shty përpara nga kjo qeveri. Pas disa shtyrjeve të afateve për riregjistrim dhe presioneve e intervenimeve të ambasadorëve të huaj mbi qeverinë, u arrit një “marrëveshje” në Bruksel për këtë çështje.

Si pasojë e targave dhe e moszbatimit të urdhërave të Ministrisë së Brendshme nga drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, ai u suspendua. Si protestë ndaj këtij suspendimi zyrtarët serb të institucioneve kosovare dhanë dorëheqje kolektive nga pozitat që ata mbanin në këto institucione.

Barrikadimi, është ky element i mishëruar me qenien e kombit serb, u përdor përsëri nga serbët e pjesës veriore të Kosovës për t’i bllokuar rrugët që çojnë në drejtim të pikave kufitare veriore. Barrikadat filluan të mbijnë si këpurdhat pas shiut në veri të vendit, pas arrestimit të një krimineli serb, që kishte sulmuar zyrat e KQZ-së dhe që deri para një muaji ishte pjesëtar aktiv i Policisë së Kosovës. Ata që i vendosën barrikadat, për sa kohë që nuk i pranojnë institucionet e Kosovës, janë dhe do të mbesin çdo herë të kontrolluar e të manipuluar nga bandat e krimit të organizuar, e ato nga organet më të larta shtetërore nga Beogradi.

Për këto veprime mesjetare, serbët arsyetohen kinse shteti i Kosovës po ushtron dhunë dhe keqtrajtime mbi ta. Komuniteti serb në Kosovë, është një minoritet me të drejtat më të mëdha në Europë dhe më gjerë! Të drejtat e tyre politike dhe minoritare ky komunitet ka vite që ia beson (Listës Serbe), një partie politike që është plotësisht e kontrolluar nga Beogradi. Kjo organizatë politiko-kriminale viteve të fundit margjinalizon çdo qytetar serb të Kosovës, nëse ata nuk i përmbahen bindjeve të tyre politike të orkestruara nga Serbia. Ndonëse ajo është partia me e madhe serbe në Kosovë, ajo ka vepruar çdo herë në dëm të shtetit të Kosovës, që për çudi deri në qeverinë e kaluar kishte një rol vendimtar në përcaktimin e zgjedhjes së kryeministrit të Kosovës.

Udhëheqësia serbe në Beograd dhe Prishtinë në muajt e fundit ka marrë një propozim të hartuar nga Franca dhe Gjermania. Ky propozim që përmbajtja e tij pjesërisht është publikuar për opinionin e gjerë, ndër të tjera ka si qëllim kryesor zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi. Kjo nismë u pa si e mirë në parim nga kryeministri i Kosovës, por jo e favorshme nga presidenti i Serbisë. Pas kësaj Serbia filloi intensivisht kërkesën për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, kërkesë kjo që ishte pranuar nga qeveria e atëhershme e udhëhequr nga Isa Mustafa por e refuzuar si anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Kjo kërkesë vazhdoi të kërkohej nga serbët që qëndronin në barrikadim pothuajse për tri javë.

Pas këtij ngërçi komunikimesh 3 javore mes palëve dialoguese, Kosovën dhe Serbinë e pret një fazë tjetër vendimtare për arritjen e një marrëveshjeje finale.

Si përfundim, rrugët kryesore që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut – pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë – ishin bllokuar që nga 10 dhjetori. Barrikadat në veri të Kosovës u ngritën nga disa grupe serbësh, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Dejan Pantiq u arrestua nën dyshimet për sulm ndaj zyrtarëve kosovarë, në fillim të dhjetorit.

Më 28 dhjetor, çuditërisht Pantiqit iu zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak me urdhër të një prokurori kosovar dhe të nesërmen filloi heqja e barrikadave nga grupet e maskuara-kriminale serbe!

Për barrikadat, Kosova ka fajësuar bandat kriminale që kanë mbështetjen e Serbisë.

Etiketa: ,