AAK: Kuvendi duhet të vendosë se kush e drejton dialogun me Serbinë


E hënë, 3 Korrik 2017

Prishtinë – Reagimet e tyre kanë pasuar pas takimit të së hënës në Bruksel, ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilët kanë paralajmëruar një fazë të re të dialogut ndërmjet dy vendeve, me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

Pal Lekaj, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky i cili është brenda koalicionit parazgjedhor me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Nismën për Kosovën, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se faza e re e këtij dialogu, duhet të jetë më përmbajtësore dhe që shkon në favor të forcimit të shtetit të Kosovës dhe njohjes reciproke.

“Ne mendojmë se së pari duhet të kemi një kornizë të qartë për dialog, një afat kohor dhe tema që shkojnë në favor të forcimit të shtetit dhe zgjidhjeve të problemeve që i kemi me Serbinë. Prandaj, ndoshta ka ardhur koha që dialogu të jetë shumë më i qartë, më përmbajtësor, me tema që shkojnë në favor të forcimit të shtetit të Kosovës dhe njohjes reciproke. Deri më tani, politika i ka lejuar Beogradit që të merret me çështje të brendshme të Kosovës. Tani, në këtë rast, nuk guxohet të mendohet diçka e tillë”, tha Lekaj.

Por, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky subjekt politik, vazhdon të jetë kundër dialogut me Serbinë.

“Ne konsiderojmë që ky dialog me Serbinë nuk duhet të vazhdojë në asnjë mënyrë dhe natyrisht që Lëvizja Vetëvendosje, tash e sa kohë, ka qëndrime të qarta sa i përket procesit të dialogut. Ne konsiderojmë që dialogu i nisur kështu, pa parime dhe pa kushte, është në dëm të Republikës së Kosovës dhe në këtë drejtim, jemi kundër këtij dialogu, sepse është dëshmuar ajo që e kemi thënë se secila marrëveshje që është nënshkruar në Bruksel, është në favor të Serbisë dhe në favor të Kosovës”.

Deri më tash, takimet në Bruksel janë zhvilluar kryesisht në nivelin politik të kryeministrave dhe takimi i tanishëm i nivelit të presidentëve, paraqet dimension të ri të dialogut.

Megjithatë, Lekaj thotë se i mbetet Kuvendit të Kosovës, pas konstituimit të tij, të përcaktojë se cili do të jetë niveli politik i përfaqësimit në dialogun me Serbinë.

“Tani, neve na duhet që të mendohemi mirë, të kemi format të caktuar për dialog dhe të kemi vendim nga Kuvendi i Kosovës se kush do ta udhëheqë dialogun me Serbinë. Çfarëdo lloj i vendimit që sillet nga Kuvendi i Kosovës, mendoj që duhet të jetë i qartë, me korniza të qarta dhe kush do t’i prijë dialogut”.

Ndërkaq, Haxhiu konsideron që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është dashur fare të shkojë në takimin në Bruksel, për të biseduar për një fazë të re të dialogut.

“Për neve është e papranueshme që Hashim Thaçi, në këtë mënyrë, në këto rrethana, si dhe duke marrë parasysh që i njëjti është përgjegjësi kryesor për të gjitha koncesionet që janë bërë në dëm të Kosovës, të shkojë dhe të bisedojë ose të vazhdojë një raund të ri të bisedimeve, tashmë në nivelin e presidentëve. Është i njëjti njeri, pra përveç që tashmë është president, mirëpo ta kemi parasysh që i njëjti, në kohën sa ishte kryeministër i vendit, është marrë në vazhdimësi me koncesione në dëm të Republikës së Kosovës, në negociatat e padrejta me Serbinë”.

Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar takimin e fundit në nivel të lartë më 1 shkurt.

Dy vendet kanë arritur marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve në prill të vitit 2013. /REL/. 

Etiketa: , ,