Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Abrashi kërkon mirëkuptim nga veteranët: Verifikimi është ende në proces

Prizren Post | 16:13 - 01.02.2016

Prishtinë – Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, njofton opinionin e gjerë dhe të gjithë veteranët luftëtarë, se në është duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme në drejtim të përmbushjes së obligimeve ligjore.

“Në këtë kuadër, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale mirëpret të gjitha kërkesat e artikuluara dhe legjitime në këtë proces. Njëkohësisht, dëshirojmë të informojmë të gjithë përfaqësuesit legjitim të kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, se ky është një proces kompleks që kërkon veprime në rrafshin e verifikimit, menaxhimit dhe implementimit të skemës ligjore, dhe në këtë kuadër ritheksojmë që kushdo që plotëson kriteret do të përfitojë nga skema e paraparë”, thuhet në një njoftim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Ministria konfirmon edhe realizimin progresiv të skemës dhe obligimeve që dalin prej saj. Ndërsa, në komunikatë thuhet se gjatë muajit dhjetor janë paguar 13.324 pensione të veteranëve luftëtarë, kurse gjatë muajit janar janë paguar 14.923 veteranë luftëtarë, derisa edhe 3400 janë në proces të verifikimit.

“Kjo skemë po zbatohet për herë të parë pas 16 vitesh dhe si e tillë zbatimi i saj kërkon angazhim në mënyrë që të shmanget çfarëdo keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi”, thuhet në kumtesë.


Etiketa:
Arivisti Company