Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Adis Nurkovic merr ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës

Prizren Post | 10:58 - 30.09.2016

Adis Nurkoviq më 2 tetor do të marrë rrugë për Prishtinë. Ai do të udhëtojë nga Bosnjë-Hercegovina për t’iu bashkuar në stërvitje Përfaqësueses së Kosovës në futboll.

Adis Nurkoviq është anëtari më i ri i Përfaqësueses së Kosovës, që në tetor i luan dy ndeshjet e radhës eliminatore për botërorin “Rusia 2018” ndaj Kroacisë dhe Ukrainës.

Ai, madje, është i vetmi joshqiptar në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll. Ai është boshnjak, i lindur e i rritur në Bosnjë-Hercegovinë.

30-vjeçari është portier dhe aktualisht ruan portën e skuadrës Travnik që bën gara në kategorinë e dytë boshnjake.

“Ka ardhur ftesa, më 2 tetor jam në Kosovë për t’iu bashkuar përfaqësueses. Mendoj që edhe leja e FIFA-s ka ardhur, pasi kam marrë ftesën”, ka deklaruar ai për Kohën Ditore.

“Do të thotë shumë për mua që do t’i bashkohem Kosovës dhe mezi po pres që të bashkohem me ekipin”, ka thënë Nurkoviq

Lidhja e Nurkoviq me Kosovën është gruaja, ndërkohë që shton se “diku në rrethinë të Prishtinës ka disa të afërm”.


Arivisti Company