Agim Çeku, nga gjenerali në “major”!


E enjte, 12 Shtator 2013

Ish kryeministri dhe njëherësh ministër i FSK-së, Agim Çeku, ka pohuar se kandidimi i tij për kryetar të Komunës së Prishtinës nuk ka për qëllim karrierë politike, pasi që pretendon se grada e tij ushtarake pas 3 nëntorit do të ulet, “nga gjenerali në major”. Prandaj, ka siguruar kryeqytetasit se do të angazhohet vetëm për mirëqenien dhe zhvillimin normal të jetës së tyre.

Bindjen për fitoren e 3 nëntorit, ish gjeneralit ia shton më shumë kryeministri Hashim Thaçi, pasi që deklaron se “me të njëjtin kanë fituar shumë beteja”, ndërsa shton se “Prishtina do të jetë fitorja e radhës”.

Këto komente Agim Çeku i ka bërë të enjten mbrëma, në një takim që kishte me kandidatët e PDK-së për asamblenë komunale të Prishtinës. Ai ka falënderuar Thaçin për besimin e dhënë, duke shtuar se projekti i PDK-së është i duhuri për ta përmirësuar dhe ndryshuar gjendjen në kryeqytet.

“Kur të bëhem kryetar i Prishtinës do të më quajnë major i Prishtinës. Kush e kupton mund ta dijë se grada e majorit është shumë më e ultë se grada e gjeneralit. Por, sidoqoftë edhe këtë sakrificë do ta bëjë për Prishtinën. Nuk është ky projekt i imi personal, është projekt i partisë më të madhe në vend, PDK-së, e pas angazhimeve historike që i ka bërë për vendin ka vendosur që të bëjë ndryshime edhe në Prishtinë”, ka pohuar ai, transmeton KP.

Ai ia ka bërë me dije LDK-së se pas 3 nëntorit “flamuri i PDK-së do të valëvitet në kryeqytet”!

Thaçi nuk ka kursyer fjalë miradije për Agim Çekun. Ai e ka quajtur atë si personalitet me virtytet më të larta njerëzore, që tërë jetën, së bashku me familja e tij, i ka shërbyer vendit dhe qytetarëve të Kosovës. Prandaj, shpreson se kandidatura e tij do të jetë triumfuese edhe në Prishtinë.

“Po fillojmë sonte nga ky shesh betejën për fitoren e madhe të PDK-së, të Prishtinës dhe për Agim Çekun kryetar të Prishtinës. Kryeministri Çeku dhe ministri aktual ka virtytet më të larta njerëzore, profesionale dhe kombëtare. PDK me mbështetje të shumë personaliteteve me ndikim në opinionin publik kosovar, i ka ofruar Prishtinës personalitetin që tejkalon kornizat partiake, kornizat e ngushta të fushëveprimit politik”, ka pohuar ai, duke shtuar se “Çeku do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë së Kosovës në realizimin e projektit të tij, për Prishtinën Evropiane”.

Etiketa: ,