Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

AKI ngre padi ndaj gazetarit Milaim Zeka [video]

Prizren Post | 11:45 - 04.02.2017

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Agjencia Kosovare e Inteligjencës e ka paditur gazetarin, Milaim Zeka, për shpifje dhe fyerje.

Këtë dokument e ka siguruar RTV Dukagjini, ku duket se gazetarit Zeka problem do t’i ketë dal pikërisht një postim i tij në rrjetin social, Facebook, i titulluar “Kur shteti i Kosovës përgatiti njerëz, për me vra njerëz”.

Në padinë që ka dorëzuar AKI në Gjykatën Themelore, thuhet se kjo Agjenci dhe menaxhmenti i tij janë fyer duke u identifikuar me krimin e organizuar dhe si vrastare.

Konfirmimi për padinë, ka ardhur edhe nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar, Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë – AKI ka bërë padi ndaj M.Z. për kompensim dëmi – shpifje dhe fyerje”, thuhet në përgjigjen elektronike të këtij institucioni të drejtësisë.

I kontaktuar nga RTV Dukagjini, gazetari Milaim Zeka që aktualisht është jashtë vendit, thotë përkundër padisë ndaj tij, nuk zmbrapset nga ajo çfarë ka deklaruar.

“Krejt çka kam thanë, është e vërtetë. Kjo padi tregon se çfarë organizate amatore është. Sa të paditur janë”, tha Zeka në përgjigjen elektronike. /RTV Dukagjini/


Etiketa:
Arivisti Company