E enjte, 30 Korrik 2026

Punonjësit e ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, të asistuar nga Policia e Kosovës, po vazhdojnë që nga orët e mëngjesit të zhvillojnë një aksion në zonën e Ujmanit, ku është rrethuar me shirit sigurie moteli “Jezero”, me qëllim lirimin e pronave të uzurpuara.
Faruk Mujka, kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” tha për Telegrafin se po vazhdojnë me aksione për lirimin e objekteve të uzurpuara.
“Është duke u zhvilluar rrënimi i objektit në fjalë. Sot vetëm ky aksion besoj që do zhvillohet, për objektet e tjera po trajtihet dokumentacioni”, tha Mujka.
Ndërkaq, edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka konfirmuar për Telegrafin se Policia është duke asistuar në këtë aksion, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me institucionet përkatëse.
Elshani ka bërë të ditur se Policia po e asiston ndërmarrjen “Ibër-Lepenci”, si dhe Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë këtij procesi.
Aksioni është ndërmarrë pasi ka skaduar afati i vendosur nga “Ibër-Lepenci” për shfrytëzuesit e objektit që ta lirojnë pronën, për të cilën ndërmarrja pretendon se është uzurpuar.
Në zonën e Ujmanit janë parë të angazhuar punonjës të “Ibër-Lepencit” dhe zyrtarë policorë, ndërsa objekti është rrethuar me shirit sigurie.
Ndërmarrja publike “Ibër-Lepenci” kishte njoftuar më herët për kërkesën për lirimin e pronës, duke pretenduar se bëhet fjalë për shfrytëzim të paautorizuar të saj.
Burimi: mesazhi
Etiketa: Aktuale
