Aktakuzë ndaj pronarit dhe kompanisë për punëtorin që vdiq 7 muaj më parë në Pejë


Çarşamba, Şubat 4th 2026
Aktakuzë ndaj pronarit dhe kompanisë për punëtorin që vdiq 7 muaj më parë në Pejë

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj personit fizik, Sh.K, dhe ndaj personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, për shkak të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sipas aktakuzës, “i pandehuri Sh.K, më 7 korrik 2025, në fshatin Gorazhdevc, si pronar i kompanisë në kuadër të obligimeve të tij ligjore nuk ka ndërmarr masat e sigurisë dhe shëndetit në punë, ashtu që, nuk ka krijuar kushte të sigurisë në vendin e punës, nuk ka ofruar trajnimin për siguri në punë, nuk ka ofruar informacion për rreziqet në punë dhe përdorimin e duhur të makinerisë, ashtu që edhe përkundër faktit se tani i ndjeri, S.R në përgjegjësitë dhe detyrat e tij ishte vetëm pastrues, i njëjti kishte gjetur vdekjen në vendin e tij të punës, si pasojë e kontaktit me gjeneratorin”, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzë edhe ndaj personit juridik, kompanisë “Luani Transport”, “e cila nga pakujdesia si pasojë e mosplotësimit të kushteve të punës sipas ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk ka vepruar në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës,  me ç’rast ka kryer veprën penale të lartcekur, ku si pasojë e kësaj ka humbur jetën punëtori, tani i ndjeri S.R”.

Prokurori i shtetit, në aktakuzën e ngritur i ka propozuar gjykatës që përveç dënimit për veprën penale të lartcekur, po ashtu të shqiptohet edhe dënimi plotësues “Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës”, në këtë rast veprimtarisë së seperacionit, kjo për faktin se, në rastin konkret i pandehuri ka ushtruar veprimtarinë pa licencë dhe pas asnjë kriter të sigurisë në vendin e punës.


Burimi: klankosova

Kërko ndihmë për trajtim shëndetësor jashtë vendit
Të fundit