Alushi tregon çelësin e suksesit ndaj Turqisë


E enjte, 8 Qershor 2017

Për shkak se fusha e stadiumit “Agron Rama” në Kastriot ishte shumë e fortë dhe e papërshtatshme për stërvitje, Kombëtarja A e Kosovës u detyrua që stërvitjen e radhës ta mbajë në stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë.

Futbollistët e Kombëtares së Kosovës po punojnë me përkushtim të madh , ndërsa shtabi teknik po përpiqet që të përgatisë ekipin sa më mirë në seanca stërvitore meqë, nuk ka mundësi të zhvillohen ndeshjet miqësore, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Enis Alushi, ka kërkuar që të jepet maksimumi ndaj Turqisë, sidomos në aspektin defansiv.

“Sot terreni ishte më i mirë dhe kjo na ndihmoi shumë në stërvitje. Ndërsa sa i përket ndeshjet e dimë që Turqia ka një ekip të fortë, por ne jemi në gjendje fizike shumë të mirë dhe duhet të japim maksimumin sidomos në repartin defansiv”, është shprehur Alushi.

Kosova dhe Turqia do të ndeshen më 11 qershor në “Loro Boriçi” të Shkodrës në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Rusi 2018”.

Kosova deri tash ka zhvilluar pesë ndeshje, ku ka vetëm një barazim me Finlandën, ndërsa ka pësuar katër humbje.

Etiketa: ,