Ambasada amerikane organizon diskutimin për Asociacionin


E martë, 31 Janar 2023

PRISHTINË – Pjesëtarë të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë të partive politike dhe diplomatë do të marrin pjesë sot në diskutimin e organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Diskutimi pritet të nisë në orën 10:00. Pjesëmarrjen në të e kanë konfirmuar përfaqësuesit e Kryeministrisë dhe Presidencës, por edhe të dy partive opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Ambasada amerikane tha përmes një postimi në Twitter se pret të dëgjojë “opinione të menduara mirë”.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kundërshton themelimin e Asociacionit, teksa Serbia këmbëngul që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ndërkaq, SHBA-ja ka argumentuar se ka ardhur koha që të formohet Asociacioni.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për përkushtimin ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Katherine Judd, teksa u pyet për diskutimin e organizuar më 31 janar.

Kosova dhe Serbia më 2013 dhe 2015 arritën marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Janë gjithsej 23 pika të marrëveshjes që nuk janë në frymën e Kushtetutës, dhe ndër to është se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, pasi bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë, në këtë rast komuniteti serb.

Megjithatë, nenet që bien ndesh me Kushtetutën, sipas Gjykatës, mund të harmonizohen, në mënyrë që ky organ të formohet.

Pavarësisht kundërshtimit të Kosovës, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian vazhdimisht kanë kërkuar që Kosova të respektojë marrëveshjet e arritura dhe të themelojë Asociacionin.

Etiketa: , , ,