Analet e një qyteti të kapur: (2) Konkurset për drejtorë të shkollave

Autor: Mytaher HASKUKA

– “Pse e keni anuluar konkursin e drejtorëve të shkollave?” – ishte pyetja e policit.

– “Arsyeja kryesore ishte që ka pasur dallime në vlerësimin e kandidatëve nga ana e komisioneve dhe të monitoruesve nga shoqëria civile” – ishte përgjigjja ime.

– “Këta që ju kanë bërë kallëzimin penal po thonë që nuk keni të drejtë të bëni diçka të tillë. A konsideroni që Kryetari i Komunës është organ kompetent për anulimin e konkursit të drejtorëve?” – ishtë një tjetër pyetje.

– “Duke u bazuar në faktin që udhëzimi administrativ parasheh kompetenca që unë të aprovoj listën, në mënyrë logjike konsideroj që kam të drejtë të mos e aprovoj listën, përkatësisht të kërkoj që të zhvillohet rishtazi procedura. Po ashtu nuk jam njoftuar me asnjë dispozitë ligjore, e cila ma ndalon marrjen e këtij vendimi,” – ishte përgjigjja.

Shumë e shumë pyetje të tjera u bënë në hetuesi për çështjen e anulimit të konkursit për drejtorë.

Vitin e kaluar ndër sfidat kryesore ishte konkursi për drejtorë të shkollave. Si Komunë, u munduam që të sigurojmë një proces objektiv. Prandaj për këtë proces ne siguruam që të ketë monitorim nga këshillat e prindërve, këshilli i shkollës, sindikata dhe shoqëria civile. Procesi i vlerësimit u objektivizua me kritere dhe pikëzim të eksperiencës, edukimit, stazhit të punës, trajnimet dhe prezantimi i planit të punës. Këto edhe mund të vlerësoheshin objektivisht.

Ky ishte një dallim i madh nga koha e PDK-së, ku nuk dihej se kur janë shpallur konkurset, e as si bëhej vlerësimi. Sado që të jetë dallimi nga koha e PDK-së, që ishte si dita me natën, sistemi i kapur prap na kishte vënë në shënjestër.
Nga akuzat mediale me lajme të rreme, deri tek kallëzimi penal dhe hetimet, ishin pikërisht ata që ishin munduar të influencojnë procesin që na akuzuan. Kjo ishte e pritshme në një qytet me sistem të kapur.

Zhgënjimi më i madh prap nuk janë këta që fotokopjojnë çdo vendim tonin dhe që na mbajnë nëpër hetuesi, por janë ata që thonë se janë të interesuar për të drejtën dhe transparencën, e pastaj nuk bëjnë pothuajse asgjë për të mbrojtur të drejtën.
Edhe në këtë proces ku u munduam të bëjmë më të mirën dhe më transparenten, mbetëm vetëm dhe pak nga ata ngritën zërin kundër akuzave të pabaza.

Prizreni po bëhet pa marrë parasysh pengesave. Çdo pengesë do ta tejkalojmë, çdo bllokadë do ta zhbllokojmë, ngase Prizreni ka treguar guximin dhe meriton më të mirën. Së bashku vvazhdojmë!

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.

Etiketa:

Leave a Reply