Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Analet e një qyteti të kapur: (3) Bashkimi për reklamë të falimentuar

Prizren Post | 22:08 - 18.12.2019

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Autor: Mytaher HASKUKA

Gjatë fushatës zgjedhore për kryetar komune, kundër-kandidati Shaqir Totaj bënte reklamë që është kontabilist dhe menaxher i mirë duke aluduar për KB Bashkimin. Por pasi që fitova zgjedhjet ndër takimet e para që i kisha me klubet sportive ishte takimi me kryesinë e KB Bashkimit, ku Shaqir Totaj kërkoi nga unë që komuna të paguante një pjesë të borxhit ngase ata ishin në gjendje të keqe finaciare, në mënyrë që të mund ta vazhdonin kapionatin. Menjëherë në koordinim me Drejtorinë bëmë pagesën dhe KB Bashkimi vazhdoi kampionatin dhe u bë kampion.

Derisa ne planifikonim investime në qendrën sportive ashtu që Bashkimi të garonte në ligat evropiane, disa javë më vonë kuptova që Shaqir Totaj kishte dhënë dorëheqje nga klubi Bashkimi.

Në momentin kur kishte dhënë dorëheqje, ai e kishte lënë klubin me shumë borxhe dhe asnjë kontratë me basketbollistë. Pra një kampion, dy javë pas fitores nuk kishte asnjë basketbollist në ekip ngase shumë prej tyre nuk ishin paguar dhe ata kishin ikur duke hapur padi të ndryshme.

Sipas komunikatës së KB Bashkimi të datës 13.06.2019, Shaqir Totaj kur kishte dhënë dorëheqje kishte deklaruar që borxhi që ai kishte lënë është rreth 40,000 euro. Por pas analizës së kryesisë së re të KB Bashkimi, është parë se borxhi i trashëguar është gjithsej 221,041 Euro.

Pra më shumë se pesëfishi i deklaruar në mbledhjen e Kuvendit nga ish kryetari Totaj. Borxhi që Totaj ka lënë janë kategorizuar në këto në tri kategori:

1. Borxhi ndaj bizneseve private = 80,670 Euro
2. Borxhi ndaj lojtarëve (përfshirë dënimet e BAT) = 84,828 Euro
3. Borxhi ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) = 55,543 Euro

Por ky borxh prej 221,041 eurosh nuk ishte totali ngase sot e kësaj dite paditë e bëra në kohën e Totajt janë duke ardhur në KB Bashkimi në formë të vendimeve të gjykatave dhe të përmbaruesve.

Pra për reklamën e Shaqir Totajt, PDK-ja kishte falimentuar KB Bashkimin.

Çka është më problematikja, Shaqir Totaj derisa ishte menaxher i ATK-së, ishte edhe kryetar i KB Bashkimit, dhe ai duke e keqpërdorur detyrën e tij, nuk i kishte paguar obligimet tatimore ndaj ATK-së, obligime këto që me vite ishin rritur dhe kishin kapur shumën prej 55,543 Euro. Për këtë arsye ATK-ja kishte bllokuar xhirollogarinë e klubit Bashkimi.

Pra ky keqpërdorues i detyrës dhe i parasë publike e kishte lënë Bashkimin të falimentojë me borxhe, dënime dhe gjykata e që të ketë probleme sot e kësaj dite.

Prandaj unë me datën 15.06.2019 i pata dërguar këto pyetje por ai kurrë nuk arriti t’iu përgjigjej:
-Pse nuk i ke paguar obligimet ndaj ATK-së?
– A nuk është keqpërdorim detyre me qenë drejtor i ATK-së, e mos t’i paguash obligimet me vite të tëra?
– Pse nuk i ke paguar obligimet ndaj Trustit Pensional?
– Kur erdhe në shkurt të vitit të kaluar të kërkosh mbështetje për ta vazhduar kampionatin, a i aporovuam 80,000.00 Euro?
– Ku shkuan këto fonde? Pse nuk i ke paguar obligimet ndaj lojtarëve?
– Pse e ke lënë KB Bashkimin pa asnjë kontratë e pa lojtarë?
– A të kanë bojkotuar “Arpagjikt” dhe shikuesit?
– Pse kërkove që t’i ftoj tifozët në ndeshjen finale?
– Pse tash ATK-ja po e bllokon xhirollogarinë e KB Bashkimit?

Po të ishte një shtet normal, sot Shaqir Totaj do të ishte i dënuar, e jo të dilte në konferenca për media. Prandaj akuzat e Shaqirit nuk kanë bazë morale ngase ai përfaqëson keqmenaxhimin dhe keqpërdorimin e qeverisjes së kaluar.

Për më pak se një vit ne arritëm të shpëtojmë KB Bashkimin nga falimentimi, paguam borxhe e dënime, i paguam tatimet ndaj ATK-së dhe sot e kësaj dite paguajmë dënimet nga gjykimet e kohës së Shaqirit.

Me rëndësi është që një vlere të qytetit i është kthyer dinjiteti, ia kemi kthyer shkollat e basketbollit dhe po i kthehet perspektiva.

Çdo pengesë do ta tejkalojmë, çdo bllokadë do ta zhbllokojmë, Shaqat i kemi lënë pas, ngase Prizreni ka treguar guximin dhe e meriton më të mirën.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Etiketa:

Bëni një koment