Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Analistët: Kriza mund të tërheq vëmendjen amerikane!

Prizren Post | 19:38 - 12.05.2014

Shkup, 12 maj – Kriza në Ukrainë ka nxitur spekulime se mund të shërbejë si nxitje për të përshpejtuar procesin e integrimeve të Maqedonisë në NATO dhe në BE.

Në këtë kontekst, mediat greke kanë raportuar se presidenti amerikan do t’u bëjë më shumë presion Greqisë dhe Maqedonisë që t’i zgjidhur kontestet.

Në këtë rast, potencohet fakti se administrata amerikane synon që Maqedonia të integrohet në strukturat euro-atlantike të sigurisë, për t’i prerë rrugën Rusisë që të realizojë një skenar të ngjashëm me atë në Ukrainë.

Analisti politik, Mersel Bilalli, ka thënë për “Zhurnal” se sa me e thellë që të bëhet kriza politike në Maqedoni, aq më serioze është qasja ndaj Maqedonisë.

“Në këso situate më emergjente, amerikanët në mënyrë më serioze do të angazhoheshin që të gjendej një formulë që të vendi të anëtarësohet në NATO. Derisa situata politike është në këtë gjendje, nuk besoj se do të ketë një angazhim më të madh amerikan”.

Bilalli thekson se tash tregohet një padurim në aspektin e ngecjes së integrimeve, dhe sa më e madhe të jetë kjo pakënaqësi aq më lehtë mund të sigurohet rritja e interesimit amerikan dhe evropian për ta gjetur zgjidhje për Maqedoninë.

Analisti Bilalli beson se koalicioni i pritur qeveritar ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së i ka handikapët e veta serioze të funksionimit, duke mos qenë shpresë për angazhim më serioz për përmbushjen e kushteve të kërkuara për euro-integrimet.

Ndërkohë, analisti politik Ismet Ramadani mendon se në disa qendra ndërkombëtare të vendosjes, politikanë e diplomatë me ndikim po japin shenja dhe iniciativa që gjithsesi të krijohen që në samitin e ardhshëm të ndodhë zgjerimi i NATO-s me marrjen e ftesave për anëtarësim nga Maqedonia dhe Mali i Zi.

“Mirëpo, fatkeqësisht krijohet përshtypja se më shumë janë të interesuar të huajt sesa vet politika e brendshme në Maqedoni, sidomos pala maqedonase që e udhëheq kreun e shtetit”, ka thënë Ramadani, në një deklaratë të mëhershme për “Zhurnal”.

Ndërkohë, ish-ambasadori Nano Ruzhin mendon se çështja e emrit pritet të dinamizohet edhe më tej drejt zgjidhjes, për shkak se NATO-ja dëshiron që edhe Maqedoninë ta fusë në rrethin e një unaze gjeostrategjike përballë Rusisë.

“Në këtë linjë janë Shqipëria dhe Bullgaria, ndërsa në anën tjetër aleanca veri-atlantike nuk ka ndonjë interes për ta anëtarësuar Serbinë. Ngjarjet në Ukrainë provokojnë rikonstruktimin e drejtpërdrejtë të Aleancës”, ka deklaruar Ruzhin.

Ndërsa, profesori universitar Vllado Popovski nuk pret që Greqia të heqë dorë nga qëndrimet dhe emrit në raportet ndërkombëtare dhe në përgjithësi për çështje që kërkojnë ndryshime kushtetuese.

“Nuk besoj se do të ndryshojë qëndrim për shkak të situatës në Ukrainë. Ndërkohë, ka shenja se ndoshta qarqet më konservatore të politikës greke janë të interesuar që ta destabilizojnë Maqedoninë”, ka thënë Popovski. (A.F.)


Etiketa:
Arivisti Company