Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Angela Merkel viziton Tiranën në muajin korrik

Prizren Post | 04:12 - 21.05.2015

Kancelarja gjermane Angela Merkel do të vizitojë Shqipërinë në korrik të këtij viti, pas ftesës së kryeministrit Edi Rama disa muaj më parë në konferencën e vendeve të Ballkanit në Berlin.

Konfirmimi ka ardhur gjatë takimit të ministrit tonë të Jashtëm Ditmir Bushati me homologun e tij gjerman Frank Walter Steinmeier, në Berlin.

Në këtë takim, Steinmeier në emër të Gjermanisë i kërkoi Shkupit të pozicionohet qartë për orientimin integrues drejt Bashkimit Europian. Komentet e ministrit të Jashtëm gjerman vijnë pas ngjarjeve shqetësuese në Maqedoni.

“Shprehëm shpresën që nuk do të ketë incidente të tilla të mëtejshme dhe që gjendja jo vetëm të qetësohet, por që në Maqedoni të konsolidohet vullneti për të vazhduar rrugën drejt BE dhe jo të krijohen dyshime për këtë. BE është treguar e gatshme për të ndërmarrë përpjekje ndërmjetësuese”, deklaroi Steinmeier.

Zhvillimet në fqinjin tonë, me një popullsi mbi 30 për qind shqiptare, ishte një nga çështjet për të cilat ministri ynë i Jashtëm udhëtoi drejt Berlinit, me ftesë të homologut gjerman.

Të dy ministrat e Jashtëm ndanë qëndrimin për nevojën e transparencës mbi sulmin me armë në lagjen e Trimave në Kumanovë.

Berlini e Tirana gjithashtu ndanë po të njëjtin qëndrim kur i përsëritën Shkupit kërkesën për të shmangur shndërrimin e krizës politike në një krizë ndëretnike, që për Bushatin e Steinmeier do të kishte pasoja edhe për rajonin.

Gjithashtu mes tyre është diskutuar edhe për konferencën e ardhshme të vendeve të Ballkanit në Vjenë, por edhe është konfirmuar vizita e Angela Merkelit në korrik.


Etiketa:
Arivisti Company