Anglia nuk do të përballet me probleme racizmi në Kosovë


E diel, 10 Nëntor 2019

Anglia nuk do të përballet me abuzime raciste me të cilat është përballur gjatë ndeshjes në Bullgari në kuadër të Evropianit 2020 kur të udhëtojë në Kosovë javën e ardhshme, ka thënë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në një intervistë për agjencinë e lajmeve britanike PA.

Lojtarët e Anglisë ishin në shënjestër të thirrjeve raciste gjatë ndeshjes së fundit në Sofje, më 14 tetor, për çka UEFA e ndëshkoi Federatën bullgare me një gjobë dhe që ndeshjen e ardhshme në shtëpi ta zhvillonte pa praninë e tifozëve.

Anglia do të përballet me Kosovën në ndeshjen e fundit të saj kualifikuese më 17 nëntor, por Ademi thotë se djemtë e Gareth Southgatet nuk kanë për çka të frikësohen në këtë udhëtim dhe ka theksuar lidhjet e forta historike mes dy vendeve.

“Nuk kemi asnjë shqetësim sa i përket racizmit. Kosova për një kohë të gjatë ka vuajtur nga diskriminimi. Na janë dashur dekada përpjekje, vuajtje dhe në fund edhe luftë për t’i dhënë fund këtij diskriminimi. Rrënjët e racizmit janë në diskriminim dhe si i tillë është i dënueshëm në shoqërinë tonë”, ka theksuar Ademi për agjencinë britanike PA.

Numri një i futbollit kosovar iu referua luftës së fundviteve 90-ta kur forcat serbe u përleshën me shqiptarët në Kosovë.

Britania e Madhe ishte pjesë e koalicionit ndërkombëtar që detyroi serbët të tërhiqeshin dhe Britania ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës më 2008.

“Roli i Anglisë si vend në çlirimin e popullit të Kosovës nga regjimi shtypës i Serbisë më 1999 ka qenë i rëndësishëm. Por jo vetëm kjo, Anglia është bërë strehë e mijëra refugjatëve kosovarë që u dëbuan nga shtëpitë e tyre gjatë luftës. Secili prej tyre, në një mënyrë apo tjetër, është prekur nga mbështetja e përzemërt dhe bujaria e qytetarëve anglezë. Disa nga këta refugjatë të asaj kohe janë yje sot për shkak se Anglia i strehoi ata, u siguroi shkollim dhe u ofroi mundësi”.

Yjet e famshme për të cilat flet Ademi janë yjet e popit si Dua Lipa e Rita Ora. Ora është lindur në Prishtinë dhe prindërit e saj janë larguar për në Britani derisa ajo ishte foshnje, ndërsa Lipa është lindur në Britani pasi prindërit e saj lanë Kosovën.

Etiketa: , , , ,
Të fundit