Arrestimet e fundit tregojnë se Specialja është afër


E diel, 15 Maj 2016

Arrestimet e kohëve të fundit dhe marrja në pyetje e zyrtarëve të lartë a mund të jetë po ashtu një shenjë se Gjykata Speciale veçse ka filluar të veprojë.

Arrestimet e kohëve të fundit të ‘profilit të lartë’, që ndodhën në Kosovë, kanë bërë që njëfarë mënyre të zgjohen nga gjumi dhe të ringjallen organet e drejtësisë, pasi janë të pakta dhe të rralla veprimet e ngjashme të kësaj natyre nga këto vitet e fundit.

Kësisoj shtrohet pyetja se a është kjo një shenjë se bashkësia ndërkombëtare po bën presion te politika, por edhe tek drejtësia kosovare, që të mos hezitojë për të burgosur edhe të ashtuquajturit ‘peshqit e mëdhenj’, të cilët deri më tani, por akoma konsiderohen si të paprekur. Arrestimet në fjalë dhe marrja në pyetje e zyrtarëve të lartë a mund të jetë po ashtu një shenjë se Gjykata Speciale veçse ka filluar të veprojë.

Analisti politik, Florim Zeqa, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” thotë se duke u bazuar në nivelin e lartë të korrupsionit në vend, arrestimet e fundit dhe marrja në pyetje e disa prej zyrtarëve të lartë, sipas tij, janë akoma sipërfaqësore.

Ai më tej ka nënvizuar se në asnjë rrethanë nuk duhet të ngatërrohen krimet ekonomike me krimet e supozuara të luftës, dhe dyshimet në këtë drejtim, sipas tij, asnjëherë nuk duhet bazuar në paragjykime, por vetëm në fakte dhe argumente konkrete. “Tërheqja e një analogjie të tillë, të krimeve ekonomike me krimet e luftës, nuk i shkon për shtati zgjidhjes së drejtë dhe gjykimit të paanshëm të rasteve. Sa herë që bëhet fjalë për “peshqit e mëdhenj” në Kosovë, nënkuptohet për bartësit e krimeve ekonomike të akomoduar në majat e pushtetit. Arrestimet e fundit mund edhe të kenë lidhje me Gjykatën Speciale, mirëpo përderisa nuk ka filluar punën kjo Gjykatë, çdo gjë mund të mbetet në vazhdën e spekulimeve”, shprehet analisti Zeqa. Zeqa: Vështirë kapet ndonjë ‘peshk i vogël’ pa lejen e ‘peshqve të mëdhenj’ Zeqa thotë se me gjithë presionin ndërkombëtar, drejtësia kosovare është akoma larg së dëshiruarës, shkaku i ndikimit të fuqishëm politik mbi këtë sistem. Në këtë drejtim, Zeqa ka nënvizuar se arrestimet selektive dhe veprimet spektakulare të Policisë së EULEX-it dhe njësive të Policisë së Kosovës tregojnë se ende janë larg cakut të kapjes së “peshqve të mëdhenj”, pasi, sipas tij, “Skuadra” e “peshqve të mëdhenj” është aq e madhe dhe e fuqishme, por edhe e organizuar mirë dhe e sofistikuar, saqë edhe drejtësia ndërkombëtare e ka të vështirë kapjen e ndonjë “peshku më të vogël” pa lejen e “peshqve të mëdhenj” të instaluar në majat e pushtetit. “Prandaj, këtu më tepër kemi të bëjmë me improvizime dhe lojëra spektakulare, për ta mashtruar opinionin publik, se gjoja po luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar ekonomik, dhe kësisoj për t’i mbajtur të paprekur “peshqit e mëdhenj” në majat e politikëbërjes në Kosovë.

Në këtë aspekt, përderisa mbetën të paprekur “peshqit e mëdhenj” në majat e pushtetit, është iluzive që të mendohet për progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Tutje Zeqa thotë se nuk nevojitet presion ndërkombëtar ndaj politikanëve të inkriminuar, por duhet që të ndodhë arrestimi i tyre, pasi, sipas tij, sa më shumë shtohet presioni ndaj tyre, aq më servilë dhe të dëgjueshëm po bëhen ndaj ndërkombëtarëve, por edhe të lakueshëm dhe pakurrizorë në raport me palën serbe në bisedimet e Brukselit dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”. Ai po ashtu mendon se arrestimi i “peshqve të mëdhenj” përveçse do ta pastronte skenën politike nga krimi dhe korrupsioni, ky veprim, sipas tij, do të rriste edhe shpresat e qytetarëve për ndryshime pozitive dhe për një jetesë dinjitoze në vendin e tyre, është shprehur Zeqa.

Etiketa: ,
Të fundit