12°C
Prizren

Arrestimi mbi bazën e fletarresteve serbe i papranueshëm

Prizren Post | 14:19 - 15.03.2016

Prishtinë – Qeveria e Kosovës e konsideron të papranueshëm arrestimin e qytetarëve të Kosovës mbi bazën e fletarresteve serbe.


Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ka informuar kabinetin qeveritar për arrestimin gjatë të premtes, nga autoritetet maqedonase, të z. Gafurr Dugolli, zyrtar i Ministrisë së FSK-së, njëherësh ish-pjesëtar i UÇK-së.

“Ai është ndaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga Republika e Serbisë, kinse “për krime lufte”. Andaj, shfrytëzoj rastin që në këtë takim të Qeverisë të kërkojmë nga ministritë përkatëse, respektivisht edhe nga Qeveria e Kosovës, që të vazhdojë me ndërmarrjen e veprimeve të natyrës diplomatike por edhe ligjore, me qëllim të lirimit sa më parë të Gafurr Dugollit, por në të njëjtën kohë të shikohet mundësia që të bisedohet që në të ardhmen të mos përsëriten fletarrestet e tilla për ish- pjesëtarët e UÇK-së”, tha ministri Demolli, njofton Zyra për Komunikim Publik e Kryeministrit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, tha se Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me këtë ngjarje dhe se tashmë mbetet një çështje e cila duhet të zgjidhet.

Duke iu referuar faktit se Kosova ende nuk është anëtare e Interpolit, kryeministri Mustafa tha se kjo po bën që të ketë vështirësi për qasje në informata paraprake lidhur me listën e emrave që janë dhënë, më pas ato po hyjnë në sistem dhe vendet e caktuara po veprojnë sipas rregullave.

“Ne i konsiderojmë se veprimet e tilla janë të papranueshme”, tha kryeministri Mustafa, duke kërkuar që të gjendet zgjidhje në mënyrë që Serbia të heq dorë nga këto veprime, dhe që pastaj ato të zgjidhen në suaza të rregullave ndërkombëtare.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, bëri të ditur se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë këtyre ditëve me ambasadorin Ylber Hysa dhe me autoritetet maqedonase për zbërthimin e këtij rasti.

“Ju e dini që kjo është e hera e dytë vetëm brenda 12 muajve të fundit që ish-pjesëtarë të UÇK-së arrestohen. Kemi pas edhe liderë institucional që iu ka ndodh kjo punë. Realisht çështja e fletarrestimeve të lëshuara në Interpol nga ana e institucioneve të Serbisë në mënyrë jolegjitime dhe jolegale ndoshta do të duhej të adresohej në Bruksel, konform dialogut sepse është tash e 10 vjet një problem afatgjatë. Ne nuk kemi asnjë indikacion që pala maqedonase nuk do ta bëjë të njëjtin veprim si shtetet tjera, Sllovenia, Gjermania ka pasur disa raste, dhe konform procedurave ta lirojë, prandaj kemi kontakt të përhershëm. Por kisha bërë thirrje që të mos politizohet dhe të mos biem pre e provokimeve të Serbisë, në këtë rast, sepse ky është qëllimi përfundimtar që thjesht të provokohet situata në vend”, tha Selimi.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka njoftuar se menjëherë pasi që ka marrë informacion nga Ministria e Jashtme për këtë rast, i ka shkruar Bashkimit Evropian, dhe se ata janë duke u angazhuar që kjo çështje të mos trajtohet në mënyrën si e paraqet pala serbe.

“Ne theksuam edhe faktin që si duket të dhënat janë të vjetruara dhe nuk është bërë një përditësim dhe kjo po krijon disa probleme. Për sa i takon insistimeve tona që të paraqesim në dialogun e Brukselit këtë çështje, që nga viti 2011 ka qenë vazhdimisht kërkesë e jona, por pala e Serbisë nuk është treguar e gatshme. Por, Bashkimi Evropian vetë është i gatshëm që të ndihmojë në forma të ndryshme që mos të tensionohen gjërat. Besoj se edhe në të ardhmen do të vazhdojmë me këto përpjekje. Por, ne jemi edhe në kontakt me Bashkimin Evropian për këto çështje. Kërkojmë më shumë informacione për këto gjëra, nëse situata ndryshon”, tha ministrja Tahiri.


Etiketa:
Arivisti Company