Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Arrestohet “El Chapo”, trafikanti më i kërkuar i drogës

Prizren Post | 11:03 - 23.02.2014

Trafikanti më i kërkuar i drogës në botë, Joaquin “El Chapo” Guzman, është pas hekurash pasi u kap dje nga autoritetet amerikane dhe meksikane në një hotel në qytetin bregdetar Mazatlan, në Meksikë.

Agjentët kishin disa javë që e ndiqnin Guzmanin, pasi policia meksikane arrestoi disa anëtarë të lartë të kartelit të tij Sinaloa. Ata besojnë se Guzman kishte arritur t’u shpëtonte autoriteteve duke shfrytëzuar një numër shtëpish të sigurta dhe tunelesh.

Ai kërkohej në Shtetet e Bashkuara nën akuza për trafik kokaine, marijuane dhe heroine nga Meksika në Shtetet e Bashkuara. Karteli i tij Sinaloa zhvillon aktivitet në një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara, Evropë dhe Australi.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Eric Holder, e cilësoi arrestimin e Guzmanit si fitore për qytetarët amerikanë dhe ata meksikanë. Ai tha se aktiviteti kriminal për të cilin ai akuzohet ka çuar në vrasjen dhe shkatërrimin e zotërimeve të miliona njerëzve, si rezultat i drogimit, dhunës dhe korrupsionit.

Karteli Sinaloa ka qenë në qendër të një lufte për territor me kartele të tjera droge që veprojnë në pjesën veriore të Meksikës. Ai konsiderohet si trafikanti më i fuqishëm i drogës në botë. Revista Forbes vlerëson se pasuria e tij është më shumë se 1 miliard dollarë.

Afro 80 mijë vetë kanë vdekur si pasojë e ngjarjeve të lidhura me trafikun e drogës në Meksikë, që kur ish-Presidenti Felipe Calderon dërgoi ushtrinë në vitin 2007 për të luftuar trafikantët e fuqishëm. Revista Forbes e rendit Guzmanin si një ndër personat më të fuqishëm në botë, dhe thotë se pasuria e tij tejkalon 1 miliard dollarë./shekulli/


Bëni një koment