Arrestohet pak orë pas vjedhjes, shkoi në polici për të pyetur për shokun


E hënë, 4 Prill 2016

Një shqiptar është arrestuar nga policia pasi u paraqit para karabinierëve për të pyetur për shokun e tij. 39-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ia kishte dalë t’i shpëtonte policisë pas tentativës për të vjedhur në një supermarket, por në pranga kishte rënë bashkëpunëtori i tij, një 28-vjeçar.

Pasi nuk ka marrë lajm nga ky i fundit, 39-vjeçari shqiptar është kthyer në supermarket pas disa orësh për të pyetur për të. Në zyrën e informacionit, ai e ka përshkruar shokun, për të cilin i kanë thënë se kishte tentuar të vidhte dhe ishte arrestuar.

Pas kësaj, ai është paraqitur në kuesturë, ku karabinierët e kanë njohur dhe e kanë vënë menjëherë në pranga, raporton ANSA.

Të dy personat e mësipërm ishin zbuluar nga punonjësit e supermarketi teksa u hiqnin mallrave etiketat e sigurisë. Ata kanë kërcënuar punonjësit e supermarketit dhe janë larguar, por pas njoftimit, policia ka nisur kërkimin, duke vënë në pranga njërin prej tyre.

Ndërsa tjetri ia ka dalë të largohet, por është identifikuar nga policët, të cilët nuk mund ta besonin se ai do të kthehej vetë pak më vonë.

Etiketa: ,