Asgjësohen 377 rrënjë kanabis, arrestohet 1 nga kultivuesit në Tiranë


E shtunë, 2 Maj 2015

Tiranë – Policia e kryeqytet, në sajë të një operacioni anti-kanabis, ka bërë të mundur zbulimin e tri parcelave të mbjella me bimë të dyshuara si kanabis sativa. Policia ka asgjësuar 377 rrënjë kanabis gjatë një kontrolli në fshatin Radhesh të komunës Zallherr, në vendin e quajtur “Mali Kulat-Radhesh” pranë një përroi, ku ishin mbjellë bimët narkotike.

Nga këqyrja e policisë është konstatuar se në këto parcela ishin mbjellë 147 bimë, të cilat kishin një gjatësi nga 5 cm deri në 30 cm. Po ashtu gjatë kontrollit në banesën e 54-vjeçarit, Kasem Hida, të dyshuar si kultivuesi i bimëve narkotike, policia ka zbuluar edhe 168 rrënjë të tjera kanabis, të mbjella në kubik. Policia e ka arrestuar në flagrancë këtë shtetas për veprën penale të kultivimit të bimëve narkotike.

Nga ky aksion është shpallur në kërkim 39-vjeçari me inicialet N.M, sepse në një dhomë të banesës së tij në fshatin Lucë janë gjetur të mbjella në kubik 62 rrënjë bimë narkotike me gjatësi mesatare 15 – 35 cm. Policia është duke kryer veprimet hetimore dhe procedurale dhe po punon për kapjen e personit të shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje. Kohët e fundit, operacionet e policisë kundër lëndëve narkotike janë intensifikuar shumë.

Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike dhe janë vënë nën pranga trafikuesit e tyre. Këto operacione janë shtrirë në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Përmendim këtu operacionin e datës 29 prill në Fier, ku nga Specialistët e Seksionit për Narkotikët, u arrestua në flagrancë shtetasi Agim Gashi, 27 vjeç, banues në lagjen “Kryengritja e Fierit” të qytetit. Arrestimi i këtij shtetasi u krye, pasi dyshohet se në lagjen “16 Prilli” të Fierit, në afërsi të një qendre tregtare, në mjetin autoveturë tip “FIAT PUNTO”, ju gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një sasi prej 172.7 gramë lëndë e dyshuar si narkotike e llojit kanabis sativa.

Një pjesë, ishte paketuar në 101 qese farmaceutike, e bërë gati për shitje, ndërsa pjesa tjetër rezultonte gati për t’u paketuar. Në po të njëjtën ditë, në operacionin “Mbikalimi” u vunë në pranga dy shtetas në qytetin e Durrësit, pasi iu gjetën sasi kanabisi, si edhe fara të kësaj bime narkotike./Shekulli/

Etiketa: , ,