Banorët e Alliasit në protestë kundër bashkisë: Ndryshoi projektin e rrugës


E diel, 6 Nëntor 2016

Banorët e Alliasit në Tiranë ankohen prej muajsh për shkak të lojërave të Bashkisë me devijimin e projektit të rrugëve në këtë zonë çka u ka përkeqësuar jetën.

Ata thonë se prej dy muajsh është tejkaluar afati i punimeve, shtrimit të tubacioneve dhe asfaltimit. Banorët janë të shqetësuar sepse projekti i miratuar 2 vite më parë është ndryshuar për shkaqe korruptive. Ata kanë kërkuar dëgjesë me kryetarin e bashkisë Erjon Veliaj, por nuk janë pritur dhe as nuk kanë mundur të ankohen për kushtet mesjetare në të cilat jetojnë, në zemër të kryeqytetit. Sekretari i Aksionit Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji i takoi banorët, ku dëgjoi nga afër shqetësimin e tyre.

“Projekti i zgjerimit të rrugës ishte 11 metra, është bërë 9. Këto janë bërë për interesa të firmës. Duam që projekti të zbatohet me cilësinë e përcaktuar më parë”, shprehet nje banor. “Kemi kohë që e presim këtë projekt, jo vetëm sot. Ky projekt që është ndryshuar nuk i sjell të mira askujt në këtë komunitet. S’jemi dakort. Më mirë ta lënë pa bërë”, ankohet nje qytetar i zonës. Në këtë lagje te madhe të Tiranës jetojnë 1 mijë familje të cilët kërkojnë vetëm zbatimin e projektit përpara fillimit të dimrit. /Gazeta Express/

Etiketa: ,