E diel, 6 Tetor 2013
Tiranë, 6 tetor – Kreu i Bashkisë së Tiranës dhe i PD-së, Lulzim Basha tha sot se deklaratat për dialog nga shumica parlamentare janë të pakuptimta. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, lidhur me deklaratat e një dite më parë të kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, Basha tha se deklaratat për dialog dhe bashkëpunim s’kanë asnjë kuptim, kur akti i parë i mazhorancës është prishja e konsensusit unanim të 30 majit.
“Fjalët i merr era në qoftë se nuk shoqërohen me vepra. Stërbetimet për dialog dhe bashkëpunim me opozitën s’kanë asnjë kuptim kur akti i parë është prita që i bëhet konsensusit unanim të 30 majit. Akti normativ i sjellë në Parlament nuk lë vend për diskutim. Këtë e di çdokush, uroj ta dijë edhe kryetari i Kuvendit që akti normativ, o votohet, o hidhet poshtë, pra nuk ka vend për dialog. Opozita është e vendosur të mbrojë vlerën e konsensusit si një vlerë të kulturës europiane të politikë-bërjes dhe garanci për balancimin dhe kontrollin e pushteteve në demokraci. Sa kohë që arbitrariteti dhe abuziviteti janë fakte, nuk ka asnjë vlerë fjala e mirë. Fjala e mirë ka vlerë vetëm nëse shoqërohet me vepra të mira”, tha Basha, transmeton Panorama.
Lidhur me një takim të tij të mundshëm me komisarin për Zgjerimin të BE-së, Stefan Füle, Basha tha se PD ka dialog të vazhdueshëm me të gjithë partnerët europianë dhe amerikanë”
Kryetari i PD-së kërkoi të mos hiqet vëmendja nga atentati i rëndë që i ka ndodhur demokracisë, siç ishte prishja e konsensusit nga ana e mazhorancës së re për ligjin e “Nëpunësit Civil”. koha
Etiketa: Lulzim Basha, Opozita, Shqipëri