E premte, 12 Korrik 2019
TIRANË – “Kjo krizë nuk mbyllet me pazar mes PS-PD, siç po flasin mercenarët e Ramës”, me këto fjalë kryedemokrati Lulzim Basha i është drejtuar në një mbledhje të përbashkët anëtarëve të kryesisë dhe ish-grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Mesazhi i Bashës ka qenë e prerë, nuk ka ulje në tavolinë me Edi Ramën, që sipas tij është njeriu që vjedh vota. Largimi i kryeministrit dhe ngritja e një qeverie që do të krijonte kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme janë prioritet e Partisë Demokratike.
“Prioriteti kryesor është ndryshimi urgjent i kësaj qeverie të korruptuar. Një proces zgjedhor me standarde, që nuk mund të ndodhë për sa kohë në krye të vendit është një person që ka kapur drejtësinë dhe ka kapur zgjedhjet. Fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të kapur duke vjedhur votat. Ndëshkim këtij regjimi që nuk i rezistoi dot tundimit për të vjedhur edhe veten e vet”, tha Basha.
Aksioni politik i opozitës do të vazhdojë me protesta, për të cilat nuk ka një datë, por edhe me shpalosjen e programit qeverisës së Partisë Demokratike.
“31% e familjeve s’mbyllin dot shpenzimet e bukës mujore. Ky është prioriteti i vërtetë dhe absolut i vendit. Ndaj gjithë vëmendja dhe energjia jonë është përqendruar drejt dhënies formë të ndryshimit që pret dhe meriton çdo shqiptar. Duke filluar me gjendjen e mjeruar ekonomike ku e ka katandisur vendin ky regjim”, tha kreu i PD.
Basha ka kërkuar angazhim maksimal të strukturave partiake në qendër, dhe në degët lokale duke përqendruar punën në terren, njofton TCH.
Etiketa: Aktuale, Edi Rama, Lulzim Basha, Opozita, Shqipëri