E hënë, 3 Nëntor 2014
Prishtinë – Data për ceremoninë e varrimit të eshtrave të heroit Boletini është caktuar 28 Nëntori 2014.
Bashkë për organizimin e varrimit të eshtrave të Isa Boletinit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemajl Minxhozi, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin mes dy vendeve gjatë këtij viti, si dhe për planet për të ardhmen.
Me theks të veçantë në këtë takim u bisedua për bashkëveprimin dhe koordinimin rreth ceremonisë se varrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, të cilat u verifikuan para pak ditësh nga eksperti mjekoligjor Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministri Krasniqi tha se tashmë përgatitjet për ceremoninë kanë filluar. Data për ceremoninë e varrimit të eshtrave të heroit Boletini është caktuar 28 Nëntori 2014.
“Figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare. Pikërisht për këtë një organizim nga të dy vendet tona do t’i bënte nder figurës së tij dhe veprës së tij për liri dhe pavarësi”, tha ministri Krasniqi, teksa shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës do të udhëheq këtë ceremoni.
Nga ana e tij, ambasadori Qemajl Minxhozi shprehi gatishmërinë e lartë të institucioneve të Qeverisë së Shqipërisë për të qenë bashkorganizator të kësaj ceremonie.
“Ne jemi të lumtur që kemi rastin si gjeneratë t’i bëjmë një nder figurës dhe veprës së Isa Boletinit”, deklaroi ai.
Në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin në mes dy vendeve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit, thuhet në një komunikatë nga zyrat e Ministrisë së Kulturës./RTK/
Etiketa: Ambasadori Shqiptar, Isa Boletini, Kosovë, memli krasniqi, Qemajl Minxhozi