E mërkurë, 26 Shkurt 2014
Prizren, 26 shkurt – Bashkimi Demokratik përmes një shkrimi të lëshuar për media në websajtin e këtij subjekti bd-ks.org reagoi publikisht ndaj emërimit të një pjese të qeverisë komunale në Prizren nga “I pandehuri” për krim dhe korrupsion Ramadan Muja, ku me këtë rast njoftoi qytetarët e Prizrenit se të emëruarit e sotëm për ekzekutivin e KK të Prizrenit janë pjesë e njësive parapolitike të partisë në pushtet PDK, si dhe disa prej tyre janë të ngarkuar me shumë aktakuza për krim dhe korrupsion.
“Ekzekutivi i të “pandehurit” Ramadan Muja është një dëshmi e katandisjes morale e politike në të cilën gjendet partia në pushtet. Me këtë gjë është ofenduar rëndë edhe kultura politike e qytetit tonë dhe në anën tjetër tregon fytyrën e vërtetë të partisë në pushtet dhe njerëzve të cilët në zgjedhjet e fundit mashtruan dhe blenë votën qytetarëve.”
Sipas BD ekzekutivi i emëruar sot përmban emra që i shërbejnë njësive parapolitike të cilët nuk kanë të bëjnë asgjë me vendet në të cilat janë emëruar, në këtë nuk është përfillur kriteri i profesionalizmit, por është marrë parasysh vasaliteti karshi patronëve të tyre.
Bashkimi Demokratik në këtë reagim u premtoi qytetarëve të Prizrenit se do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm konstruktiv në kuvend ku në vazhdimësi do të denoncojë publikisht për dëmet që i bëhen institucioneve nga garnitura aktuale politike./Prizren Post/