E enjte, 29 Janar 2015
Bruksel – Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ndjekur me shqetësim të madh demonstratat e së martës. Protestimi paqësor është një e drejtë themelore, e patjetërsueshme demokratike e qytetarëve. Është një mënyrë demokratike përmes së cilës qytetarët dërgojnë mesazhe te udhëheqësit e tyre politikë, thuhet një një reagim të Zyrës së BE’së.
Më poshtë mund të lexoni të plotë reagimin
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka ndjekur me shqetësim të madh demonstratat e së martës. Protestimi paqësor është një e drejtë themelore, e patjetërsueshme demokratike e qytetarëve. Është një mënyrë demokratike përmes së cilës qytetarët dërgojnë mesazhe te udhëheqësit e tyre politikë.
Megjithatë, dhuna është e papranueshme: ajo gjithmonë shkon në dëm të shkakut të atij veprimi dhe rrezikon hapësirën demokratike. Prandaj është fillimisht në interes të atyre që organizojnë demonstrata dhe të atyre që demonstrojnë për t’u distancuar nga dhuna dhe për ta parandaluar atë gjatë tubimeve të tilla.
Demonstratat në këtë numër, si ajo që pamë të shtunën e kaluar, janë gjithashtu një shenjë e frustrimit të qytetarëve me gjendjen në Kosovë. Shpesh të njëjtat shkaqe po i shtyjnë njerëzit që të kërkojnë punë jashtë Kosovës apo madje edhe të bien viktima të migrimit të paligjshëm. Demonstratat janë për të dërguar një mesazh dhe ndoshta për të zgjuar institucionet politike. Por rrugët nuk janë mënyra për të gjetur zgjidhjen, aq më pak përmes ultimatumeve.
Si në çdo shoqëri demokratike, zgjidhjet duhet të gjendet përmes dialogut politik në institucionet politike, përmes dialogut social mes partnerëve socialë – dhe me një dialog të hapur të autoriteteve me shoqërinë.
Kosova ka nevojë për të gjetur një gjuhë të përbashkët për të vepruar drejt zhvillimit ekonomik dhe sundimit të ligjit. Ne nxisim udhëheqësit politikë të të dyja anëve, koalicionin dhe opozitën, që të bashkojnë forcat e tyre në ofrimin e përgjigjeve për shpresat e njerëzve. Vendi më i përshtatshëm për këtë është Kuvendi.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndihmojë në gjetjen e këtyre përgjigjeve, meqë ato janë themeli mbi të cilin ndërtohet rruga evropiane e Kosovës.
Etiketa: Bashkimi Europian, Kosova, Protesta