Behrami tregon se pse pranoi ofertën e Hamburgut dhe shpalos objektivat


E enjte, 21 Gusht 2014

Mesfushori kosovar tregon se pse pranoi ofertën e Hamburgut dhe shpalos objektivat për edicionin e ri.

Mund të shkonte te Atletico Madridi apo Interi. Dy skuadra më të njohura se Hamburgu. Por, e zgjodhi këtë të fundit thjesht sepse i besonte më shumë. Mesfushori kosovar, Valon Behrami, ka treguar për ‘Blick’ arsyet se pse vendosi që karrierën ta vazhdojë në Bundesligën gjermane, ani pse në duar kishte edhe oferta tjera.

Ai i ka besuar më së shumti Hamburgut sepse edhe klubi e ka bërë të njëjtën gjë, duke i besuar dhe duke e vendosur në qendër të projektit për edicionin e ri. “Hamburgu ishte klubi i parë që më donte me ngulm. Unë kam qenë në qendër të planit të tyre, ndaj vendimi për të zgjedhur këtë klub ishte i lehtë”, ka deklaruar Behrami, duke e vënë tutje në pah rëndësinë e madhe që ka besimi në të. “Unë kam nevojë për besimin e pronarëve dhe trajnerit për të treguar cilësitë e mia”, shtoi reprezentuesi i Përfaqësueses së Zvicrës.

Synimet në edicionin e ri

Hamburgu përfundoi një edicion pothuajse katastrofik, ku i shpëtoi rënies nga elita vetëm pas mbijetimit në dy sfidat e barazhit ndaj Greuther Furthit të Ilir Azemit. Behrami e di këtë shumë mirë andaj thotë që sezoni i ri duhet të jetë më i mirë se ai i vjetri. “Ne do të japim gjithçka për të bërë një sezon më të mirë se ai i kaluari”, u shpreh ish-anëtari i Napolit.

Ai beson që bashkëlojtarët e tij kanë nevojë më shumë për siguri dhe besim, andaj thotë që do të përpiqet që t’iu ndihmojë me përvojën e tij.
“Pritjet janë të larta për këtë edicion, por lojtarët kanë nevojë për më shumë besim dhe siguri. Unë do të mundohem që t’i ndihmojë ata me përvojën time”, përfundoi Valoni. Behrami ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare me Hamburgun, ndërsa ai këtij klubi i ka kushtuar 4.5 milionë euro.

Debutimi zyrtar dhe jozyrtar

Debutimi zyrtar i Behramit nën fanellën e Hamburgut ka ardhur në kuadër të Kupës së Gjermanisë, ku kjo skuadër u kualifikua tutje pas ekzekutimit të penalltive ndaj Cottbusit. Behrami në këtë ballafaqim luajti tërë takimin. Më i ëmbël ishte për të debutimi jozyrtar, kur shënoi gol në miqësoren ndaj Akhisar, të cilën Hamburgu e fitoi 2:0./Tribuna/