Dacic pakëson shqiptarët në Luginë, rrit serbët në Kosovë


E hënë, 25 Nëntor 2013

Beograd, 25 nëntor – Beogradi mjeshtërisht i kthen në propagandë të aspiratave të tij numrat e pakësuar për shqiptarët në Serbi dhe të rritur për serbët në Kosovë.

Duke u marrë me problemin e ndërprerjes së bisedimeve të shqiptarëve të Luginës me Qeverinë e Serbisë, Beogradi “zbuloi” përmes makinerisë së tij propaganduese se “Shumica e shqiptarëve nga juguu i Serbisë ka bojkotuar regjistrimin e popullsisë para dy vjetësh. Edhe pse thonë se në atë territor ka rreth 40.000, janë regjistruar vetëm rreth 1.170 shqiptarë. Rezultatet e regjistrimit kanë qenë bazë edhe për rrjetin e gjykatave, për ç’arsye përfaqësuesit e shqiptarëve nga jugu tash kanë ndërprerë bisedimet me Qeverinë”, transmeton sot RTS pohimet e zyrtarëve serbë.

Por as zyrtarët, e as të dhënat e mëhershme statistikore, madje as serbe, asnjëherë nuk kanë thënë se në tri komunat shqiptare në Luginë të ketë “rreth 40 mijë shqiptarë”. Gjithmonë është folur për një numër rreth njëqind mijë, që pas shpërnguljeve si pasojë e represionit serb në këto komuna mund të kenë mbetur rreth 80 mijë.

Beogradi nuk nguron as të shumëfishojë numrin e serbëve në Kosovë. Sa herë flet për “pozitën e rëndë të serbëve në Kosovë”, nuk ‘harron’ të thotë se rreth 250 mijë serbë janë detyruar të “braktisin vatrat e tyre në Kosovë për të shpëtuar nga terrori shqiptar”, dhe po aq thotë se “kanë dëshmuar guximin dhe patriotizmin tradicional”, duke qëndruar në shtëpitë e tyre në “Kosovë e Metohi”.

Matematika e thjeshtë thotë se paska pasur në Kosovë rreth 500 mijë serbë, ndërsa vetëm rreth 40 mijë shqiptarë ndodhen në Serbi. Në këtë logjikë mbase Daçiq mbështet kërkesën për shkëmbim territoresh midis Kosovës e Serbisë, si zgjidhje të vetme, sipas tij.

Etiketa: , , , ,
Të fundit