Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Betohet Mbreti i ri i Spanjës, Felipe

Prizren Post | 15:42 - 19.06.2014

Spanjë – Princi i Kurorës, Felipe, u shpall Mbreti i ri i Spanjës gjatë një ceremonie në Parlament. Ai do të njihet tashmë si Mbreti i Spanjës, Felipe VI. Mbreti Felipe mori fillimisht brezin mbretëror nga i ati, Juan Carlos, në një ceremoni në Pallatin Zarzuela, pranë Madridit.

Ai aderoi në Fron gjatë mesnatës, pasi Juan Carlos abdikoi formalisht gjatë ditës së mërkurë. Korrespondentët thanë se ceremonitë u zhvilluan jo me shumë bujë, në një kohë kur shumë spanjollë vuajnë nga vështirësitë ekonomike.

Felipe përshkruhet si njeri me humor, inteligjent dhe sportiv, si një baba tepër i përkujdesur dhe, mbi të gjitha, si një person që nuk ka qenë kurrë i përfshirë në skandale.

Ceremonia ishte në formën e një shpalljeje, dhe jo të një kurorëzimi. Ky është i pari tranzicion mbretëror në Spanjë, që pas vendosjes së demokracisë. Mbreti i ri u betua se do të mbështesë Kushtetutën dhe më pas dha një fjalim në Parlament. Ai dhe gruaja e tij Letizia, pritet që të përshkojnë rrugët e Madridit, përpara se të shfaqen në ballkonin e Pallatit Mbretëror. Korrespondentët thonë se Mbreti i ri përballet me një sërë sfidash të vështira, nëse do të kërkojë të përmirësojë reputacionin e Monarkisë.

Edhe pse Juan Carlos mori lavdërime për rolin e tij në rikthimin e demokracisë, imazhi i tij pësoi tronditje kur shkoi në një vend tepër luksoz afrikan, për lëvizje turistike me elefantë, në mes të një recesioni të thellë për vendin. Më pas, reputacioni i tij pësoi të tjera goditje, për shkak të akuzave për evazion fiskal, të bëra kundrejt vajzës së tij Cristina, e cila raportohet të mos jetë ftuar në festën e pasimit të fronit.

Kushtetuta spanjolle nuk e parashikon ndryshimin e Mbretit, ndaj Dhoma e Përfaqësuesve duhej ta miratonte këtë abdikim ligjërisht. Pavarësisht mënyrës së pazakontë të ndryshimit të Fronit, ai duket se ka ardhur në kohën e duhur. Reputacioni i Monarkisë spanjolle vuajti shumë kohët e fundit për shkak të kritikave ndaj Juan Carlos-it, siç ishte rasti kur gjatë njërës prej krizave më të rënda ekonomike të vendit, monarku shkoi për një safari të shtrenjtë në Afrikë.


Etiketa:
Arivisti Company