Biden: Inkurajojmë Kosovën të përmbushë obligimet e dialogut me Serbinë


E premte, 16 Shkurt 2024

WASHINGTON – Presidenti amerikan, Joe Biden, në urimin e tij për 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, inkurajoi udhëheqjen në Kosovë që të përmbushë të gjitha obligimet nga dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë.

“Së bashku me shtetet e tjera në rajon dhe mbarë botën, SHBA-ja inkurajon udhëheqjen e Kosovës që të përmbushë të gjitha obligimet, përfshirë edhe të gjitha marrëveshjet e arritura përmes këtij procesi”, tha Biden në urimin dërguar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Udhëheqësi amerikan tha se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova ndajnë një miqësi dhe partneritet të qëndrueshëm “të forcuar nga vizioni ynë i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më prosperues”.

“Ne po ashtu vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.

Ditë më parë, Biden inkurajoi Serbinë që të bëjë hapa përpara, “përfshirë edhe kompromise kur është e nevojshme”, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Këtë mesazh, lideri amerikan e përçoi përmes një urimi që i dërgoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në ditën e shtetësisë së Serbisë.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve, me lehtësim të BE-së, që nga viti 2011.

SHBA-ja e mbështet këtë proces, por nuk është pjesë e tij.

Palët ndër vite kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në praktikë. Një prej marrëveshjeve që faktori ndërkombëtar i kërkon me ngulm Kosovës që ta zbatojë është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit dhe u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja ka thënë se marrëveshja, që nuk është nënshkruar por është obligative për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

Kosova do të shënojë përvjetorin e 16-të të pavarësisë më 17 shkurt. Por, ky përvjetor e gjen shtetin me raporte të tendosura me aleaten e tij, SHBA-në, e cila nuk po pajtohet me një vendim të Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave me para të gatshme.

Rregullorja e BQK-së për para të gatshme, që parasheh euron si valutën e vetme për pagesa me para të gatshme, hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht kundërshtive nga SHBA-ja.

SHBA-ja i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e këtij vendimi, duke argumentuar se ai u mor pa konsultim paraprak dhe pa marrë për bazë implikimet që mund të ketë në jetën e komunitetit serb në Kosovë, që përdor valutën serbe.

Ditë më parë, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, tha se Kosova po e rrezikon partneritetin me SHBA-në pas vendimit për ndalimin e dinarit.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sugjeroi të kundërtën.

“Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse Shtetet e Bashkuara, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj unë si kryeministër i Kosovës”, tha Kurti më 14 shkurt, një ditë pas deklaratës së O’Brien.

Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, deklaroi se raportet mes Uashingtonit dhe Prishtinës veçse janë ndikuar nga vendimi për dinarin.

Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë./REL

Etiketa: , ,