Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

BIK ‘harron’ Xhaminë Qendrore në Prishtinë

Prizren Post | 08:54 - 02.05.2014

Vënia e gurthemelit të saj kishte bërë bujë të madhe. Në vënien e një lopate beton, kishin marrë pjesë personalitetet me të larta shtetërore dhe përfaqësues të të gjithave bashkësive fetare në Kosovë. Gjithashtu ishte organizuar edhe një festë e madhe.

Por pas kësaj zhurme, pasoi heshtja. Kanë kaluar dy vjet dhe nuk ka asnjë lëvizje në ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, e cila pritet të jetë më e madhja në vend, por edhe në rajon.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk e dinë se kur pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e saj. Por thonë se për këtë çështje do të diskutojnë së shpejti. Sabri Bajgora, kryeimam i BIK-tu, thotë se ende nuk ka asgjë të re në këtë drejtim, shkruan “Tribuna”.

Sipas tij, në ditët e ardhshme pritet të mblidhet Kryesia e BIK-ut dhe ndër çështjet që do të diskutohet në këtë mbledhje do të jetë edhe ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë.

“Nuk ka ende diçka të re në këtë drejtim, mirëpo në ditët në vazhdim do të mblidhet Kryesia e BIK-ut dhe aty pritet të diskutohet edhe kjo çështje”, thotë Bajgora.


Etiketa:
Arivisti Company