Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

“Blloku” nuk dëshiron votim të fshehtë

Prizren Post | 10:35 - 08.09.2014

Prishtinë – Blloku opozitar LDK-AAK-Nisma, disa ditë para mbajtjes së vazhdimit të mbledhjes konstituive të Kuvendit të Kosovës ka thënë se nuk ka çarje brenda tij dhe se do ta realizojë të “drejtën” për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Koalicioni paszgjedhor LDK-AAK-Nisma do të qëndrojë në sallë kur të dalë kandidati i PDK-së për kryetar Kuvendi dhe vota e tyre do të jetë kundër.

Megjithëse kanë dhënë kritika të shumta në drejtim të Gjykatës Kushtetuese, zyrtarë të koalicionit paszgjedhor LAN kanë thënë se do ta respektojnë në plotni aktgjykimin për çështjen e kryetarit të Parlamentit.

Vendimi i gjykatës thotë se të gjithë deputetët duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë si të dëshirojnë, në mënyrë të hapur ose të fshehtë, të votojnë “për”, “kundër” ose të abstenojnë, dhe “nuk mund të lirohen nga të vepruarit kështu”.

Këshilltari i Ramush Haradinaj, Avni Arifi ka thënë për “Koha Ditore” se LAN do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ai ka thënë se do të ishte mirë që kryeparlamentari të zgjidhej me votë të hapur në mënyrë që të dihej se kush me kë është.

“Do ta respektojmë vendimin Gjykatës Kushtetuese me mirëkuptim të plotë. Grupi më i madh parlamentar është përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese se është PDK-ja dhe të drejtën e propozimit të kandidatit nga kjo parti do ta respektojë koalicioni. Do të marrim pjesë në seancë, por do të votojmë kundër PDK-së. Duhet të dihet se kush për kë po voton, nuk ka asnjë arsye të bëhet me votim të fshehtë”, ka thënë Arifi, shkruan sot “Koha Ditore”.


Etiketa:
Arivisti Company