BQK-ja thotë se sektori bankar në vend është i sigurt


E hënë, 5 Dhjetor 2022

PRISHTINË – Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka reaguar lidhur me disa raportime që kanë të bëjnë me sigurinë e këtij sektori.

Sipas BQK-së, sektori bankar në vend është i sigurt dhe nuk ka hapësirë për panik.

“Banka Qendrore e Kosovës, dëshiron t’i siguroj të gjithë qytetarët se sektori bankar është i sigurt dhe nuk ka nevojë për panik. Përkundër sfidave të ndryshme teknologjike, BQK në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe bankat komerciale, kanë ndërmarrë të gjitha masat, që klientët të mos dëmtohen nga asnjë veprim i kundërligjshëm”, thuhet në reagimin e BQK-së, përcjell Telegrafi.

Institucioni më i lartë financiar në vend thekson se janë duke u kryer ekzaminimet që kanë të bëjnë me sigurinë kibernetike të klientëve.

“Bazuar në kompetencat e saj, BQK kryen ekzaminime të plota dhe të fokusuara që përfshijnë edhe fushën e teknologjisë informative, duke përfshirë edhe sigurinë kibernetike. Pjesë e ekzaminimeve kanë qenë edhe gjetjet që kanë të bëjnë me fushën e teknologjisë informative, ku janë dhënë rekomandime të ndryshme, të cilat zbusin dhe zvogëlojnë mundësinë e kryerjes së keqpërdorimeve, duke rekomanduar vendosjen e kontrolleve adekuate të brendshme, në funksion të parandalimit edhe ndaj sulmeve kibernetike”, vijon reagimi.

Po ashtu, aty theksohet se në rast të ndonjë dëmtimi, bankat komerciale në vend e kanë për detyrë që t’i bartin vet kostot e klientëve.

“Gama e gjerë e produkteve që ofrojnë bankat, bart me vete edhe rrezikun e ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike, mirëpo që në çdo rast kur ka dëmtim të klientëve të çfarëdo natyre, bankat bartin koston e zhdëmtimit të klientëve. Për më shumë, ka pasur raste kur BQK-ja ka kërkuar dhe bankat kanë zhdëmtuar klientët ndaj çfarëdo rreziku. Gjithashtu, BQK është duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha institucionet e sigurisë për të adresuar çdo nevojë në zgjidhjen e problemeve në këtë sektor”, thekson BQK-ja.

Në fund, Banka Qendrore e Kosovës thotë se blerjet nga interneti kanë shënuar rritje, gjë që deri më muajin tetor 2022 janë shënuar rreth 40 mijë transaksione.

Etiketa: ,
Të fundit