Britani, shkalla e punësimit arrin nivel rekord


E mërkurë, 15 Shkurt 2017

Londër – Shkalla e punësimit në Britani të Madhe ka arritur një rekord të lartë në prag të negociatave Brexit, flasin të dhënat zyrtare të publikuara të mërkurën, transmeton Anadolu Agency.

Zyra Kombëtare për Statistikë (ONS) tha se numri i të punësuarve në tre muajt e fundit ka mbëritur në 74.6 përqind.

Kjo njëherësh është përqindja më e lartë që prej vitit 1971, atëherë kur filluan matjet.

“Me matjen e fundit janë regjistruar 300.000 më shumë të punësuar krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ndërkohë që edhe numri i grave të punësuara shënon rekorde të reja me rreth 70 përqind të punësuara”, thonë nga ONS.

Sekretari britanik për Punë dhe Pensione, Damian Green tha nga ana e tij se statistikat e publikuara dëshmojnë se shteti mbetet i fortë.

“Reformat tona për mirëqenie do të vazhdojnë të intensifikohen për të garantuar se sistemi është i drejtë për të gjithë ata të cilët paguajnë për te”, tha Green.

Ndërkohë, qeveria britanike përmes një kumtese ka njoftuar se “puna me orar të plotë vazhdon të shënon rritje, me 218.000 punëtorë më shumë nga viti paraprak, që do të thotë se më shumë njerëz kanë sigurinë e pagës së rregullt”.

Qeveria njofton se numri i të papunëve të cilët marrin beneficione nga shteti ka rënë për 42.000, më konkretisht në 2.1 përqind, që është shifra më e ulët që nga viti 1974.

Etiketa: ,