Brukseli “hedh nokaut” Maqedoninë


E diel, 25 Tetor 2015

Bruksel – Raporti i progresit për Maqedoninë për vitin 2015 pritet të jetë me disa pika kritike për mungesën e reformave në drejtësi, administratë publike, luftën kundër korrupsionit, gjendjen e medieve, si dhe mungesën e dialogut mes partive politike dhe kulturën politike, njofton agjencia e lajmeve INA, duke cituar burime diplomatike në Bruksel.

Siç mëson agjencia e lajmeve INA, zgjidhja e krizës politike mbetet thelbësore për zhbllokimin e procesit të anëtarësimit në BE.

Madje, gjasat janë që vendi të shkojë drejt izolimit duke humbur edhe rekomandimin për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

Por, raporti pritet të përmbajë paralajmërime për Maqedoninë për të shmangur veprimet dhe deklaratat, të cilat mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Në qendër të vëmendjes do të jenë liria e shprehjes dhe medieve, dhe me këtë rast priten vlerësime negative lidhur trajtimin e gazetarëve dhe politizimin e skajshëm të mediave.

Administrata publike konsiderohet një zonë problematike. Ekonomia e Maqedonisë nuk ka shënuar rritje të theksuar sa u përket viteve të kaluara. Megjithatë, komisioni vëren se norma e papunësisë në vend është shumë e lartë, veçanërisht tek të rinjtë.

KE do të kërkojë vazhdimin e bisedimeve për zgjidhjen e krizës politike deri në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Gjithashtu theksohet se Maqedonia duhet të angazhohet maksimalisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Etiketa: ,
Të fundit