Buja: Limaj e Krasniqi po “vetëdigjen”!


E shtunë, 28 Shtator 2013

Largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit nga Partia Demokratike e Kosovës do të jetë fundi i karrierës së tyre politike, ngase, përveçse në PDK, ata s’mund të kenë sukses në asnjë subjekt tjetër politik.

Kështu konsideron njëri nga anëtarët e kryesisë së PDK-së, Ramë Buja, i cili gjatë një interviste për “Zëri” nuk e ka cilësuar si të mençur largimin e Limajt dhe Krasniqit nga partia.

“Ata largohen, por PDK-ja nuk dëmtohet”, deklaroi Buja, i cili shprehet i bindur se Iniciativa Qytetare për Malishevën, që e ka përkrahjen e Limajt dhe ajo për Drenasin, që përkrahet nga Krasniqi, nuk do të arrijnë ta sfidojnë pushtetin e “partisë amë”.
Ministri i Arsimit ka folur edhe për deklarimin e tij se “arsimi po ecën majave”.

Ai e mbron këtë qëndrim, por nënvizon se arsimi s’ka arritur në maje, por është rrugës tek “majat” ndërsa nuk pranon se arsimi ka hyrë “përroit”.

Për ta rritur vullnetin për t’i studiuar shkencat ekzakte, ministri i Arsimit thotë se e ka marrë iniciativën për formimin e një gjimnazi matematikor në Prishtinë, ku do të shkollohen vetëm fëmijët që kanë nivel të lartë të inteligjencës.

Fakti se ligjëron në një universitet privat, për Bujën nuk paraqet konflikt interesi, por vetëm “ruajtje të zanatit të profesorit”, ndërsa fakti se qeveritarët i shkollojnë fëmijët në arsimin privat e jo publik, për të nënkupton se po respektohet vullneti i fëmijëve.