Çeku strehimoren e dikurshme do ta kthente në galeri arti


E enjte, 10 Tetor 2013

Prishtinë, 10 tetor – Strehimorja e shkatërruar në Kodrën e Diellit, nëse Prishtina, do të rregullohet dhe shndërrohet në galeri dhe amfiteatër të hapur. Ky është premtimi i kandidatit të PDK-së për kryetar të Prishtinës, Agim Çeku.

Sipas Çekut është dëm që një objekt i tillë të lihet në mëshirën e fatit, kur me pak investime mund t’ju shërbejë të rinjve të lagjes. ”Jemi para një objekti publik, i cili ka qenë i dedikuar për strehimore në këtë lagje, në një kohë të caktuar kur këto pjesë kanë qenë të rrezikuara, por destinimin e këtij objekti koha e ka tejkaluar dhe është dëm që ky objekt të mos shfrytëzohet, kur kemi mungesë të madhe të hapësirave publike”, tha Çeku.

Ai tregoi se në katin e parë të këtij objekti, në qeverisjen e tij, do të ndërtohet një galeri, kurse në pjesën e sipërme një amfiteatër i hapur, i cili do t’ju shërbejë jo vetëm të rinjve të kësaj lagjeje, por të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

Kandidati i PDK-së për Prishtinën, së bashku me zyrtarë të Degës dhe të Kryesisë së PDK-së, pas shpalosjes së projektit për strehimoren, në shkollën “Ismail Qemaili” u takuan edhe me rreth 400 banorë të kësaj lagjeje, të cilëve ua shpalosen programin e PDK-së për Prishtinën.

Lirak Çelaj, kryetar i Degës së PDK-së në Prishtinë, tha se komuna e Prishtinës ankohet për buxhet, ndërsa vetëm vitin e kaluar i kanë mbetur 21 milionë euro të pashpenzuara. ”Para se të vinim këtu i bëmë një xhiro lagjes së Kodrës së Diellit dhe pamë që janë hapur shumë gropa. Mirëpo unë do ta pyesja kryetarin aktual se pse nuk i ka filluar më herët këto punime, ku ka qenë qe 14 vjet, pse duhet pritur ditën e votimit, zgjedhjet, për t’i filluar ato”, tha Çelaj.

Ndërsa, kandidati Çeku, tha se Kodrës së Diellit i është zbehur pamja si pasojë e ndërtimeve pa plan. “Po e shohim se edhe lagjes ”Kodra e Diellit” i është zbehur pamja që ka pasur dikur si pasojë e keqqeverisjes në Prishtinë dhe ndërtimeve pa plan, por ne do t’ia kthejmë shkëlqimin edhe lagjes, edhe Prishtinës në përgjithësi”, tha Çeku.

Pas takimeve në lagjen “Kodra e Diellit, kandidati i PDK-së, Agim Çeku dhe ekipi i tij, kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët edhe me studentë në hotelin “Victory”. Koha

Etiketa: , ,